Në një periudhë afro njëvjeçare, kompania ANI Oil Gas sh.a ka kryer shkurtim të fuqisë punëtore në vendburimin e naftës në shtresat gëlqerore në Qafën e Kaahit në Mallakastër, duke larguar nga puna një numër punonjësish, mes tyre edhe naftëtarë me dekada eksperiencë.
Sipas punonjësve të larguar, por edhe vetë deklarimeve të kompanisë, shkaku kryesor i këtyre largimeve lidhet me mungesën e financave dhe vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet aktiviteti i saj. Pas largimit të një grupi punonjësish në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, gjatë muajve të parë të këtij viti janë larguar edhe 16 punonjës të tjerë.
Nga këta, 12 punonjës kanë firmosur kontratat e largimit dhe kanë marrë librezat e punës, ndërsa katër të tjerë nuk janë dakord me arsyetimin e kompanisë për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
Naftëtarët shprehen se kanë bërë ankesa zyrtare ndaj kompanisë, duke vënë në dijeni Kryeministrinë, ministrinë përgjegjëse, Inspektoratin e Punës dhe institucionet përkatëse, ndërsa kërkojnë një arsye konkrete dhe të qartë për largimin e tyre nga puna.
Sipas tyre, shumica e të larguarve janë punonjës me mbi 33–34 vite eksperiencë në sektorin e nxjerrjes së naftës dhe ndodhen pranë moshës së pensionit, çka sipas tyre e bën edhe më të vështirë gjetjen e një punësimi alternativ.
Nga ana tjetër, drejtues të kompanisë ANI Oil Gas sh.a kanë deklaruar se çdo veprim është kryer në përputhje me ligjin dhe rregulloret e brendshme. Sipas tyre, kontrollet e ushtruara nga Inspektorati i Punës dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk kanë konstatuar shkelje.
Kompania sqaron se 16 punonjës janë larguar për shkak të mungesës së financave, ndërsa katër punonjës që nuk kanë rënë dakord me vendimin janë paralajmëruar tre muaj më parë. Sipas saj, ata aktualisht punojnë me orar të reduktuar prej 4 orësh në ditë dhe paguhen, por kontratat nuk do të rinovohen.
Gjithashtu, kompania argumenton se vendimi lidhet edhe me moshën e punonjësve dhe vështirësinë për të përballuar ritmet dhe dinamikën e punës, përveç problemeve financiare që po kalon aktiviteti.
© SYRI.net