Dy anëtarë të një bande të krimit të organizuar janë burgosur pasi policia bastisi tre adresa në Basildon dhe gjeti drogë me vlerë më shumë se gjysmë milioni paund. Policia e Essex-it ekzekutoi urdhërkontrolle në Ardleigh, The Vale dhe Cherrydown East në dhjetor, duke sekuestruar disa kilogramë kokaine të trafikuar nga një grup shqiptar.
Dy burra, Flavio Hykaj nga Shqipëria dhe Pedro Barros nga Brazili u dënuan të hënën (11 maj) në Gjykatën e Basildon Crown për përfshirjen e tyre. Një person i tretë, shqiptari Albert Doci duhej të dënohej gjithashtu, por çështja e tij u shty pasi avokati i tij u ndje keq.
Policia e Essex-it nisi hetimet ndaj grupit kriminal pasi arrestoi dikë në një çështje tjetër dhe në telefonin e tij gjeti një mesazhe masive marketingu për shitje droge.
Numri i telefonit, që dukej se promovonte shitjen e kokainës, ishte ruajtur me emrin “Dalbanians”. Një hetim, i quajtur “Operation Charlie”, u ngrit për të hetuar këtë numër telefoni, i cili u gjurmua deri në Shqipëri. Por në mesazhet që u dërgonte përdoruesve të drogës, u tregonte se cilën makinë duhej të kërkonin për të marrë drogën. Kamerat automatike të leximit të targave (ANPR) u përdorën për të gjurmuar lëvizjet e makinës, duke zbuluar adresa dhe automjete të tjera të lidhura me operacionin e paligjshëm.
Grupi trafikonte kokainë në të gjithë Basildon dhe Castle Point veçanërisht në Canvey Island. Një anëtar u lidh përfundimisht me Trafford House, blloku i apartamenteve pranë stacionit të trenit në Basildon, ndërsa një tjetër merrte vazhdimisht taksi drejt një prone në Ardleigh, në Lee Chapel South. Një tjetër u lidh me një banesë në The Vale në Vange. Policia e Essex-it bastisi të tre adresat më 17 dhjetor.
Në Ardleigh, ata zbuluan atë që prokurori Meyrick Williams e quajti “shtëpia-magazinë”. Aty u gjetën 19,800 paund cash, shtatë pako kokaine me peshë rreth 1.24 kg secili, si dhe rreth 200 doza kokaine gati për shitje. Në total, droga dhe paratë kishin një vlerë gati 600 mijë paund.
Ndërsa policia po kontrollonte adresën në Ardleigh, një nga korrierët e grupit mbërriti me makinë dhe u ndalua nga policia. Ai ishte Pedro Barros, një 19-vjeçar brazilian që ndodhej në Britani me vizë turistike gjashtëmujore. Brenda automjetit u gjetën 12 qese kokaine. Oficerët që bastisën Trafford House gjetën 22-vjeçarin shqiptar Flavio Hykaj duke fjetur në dhomën e gjumit.
Edhe aty kishte “një sasi të konsiderueshme kokaine”, tha zoti Williams 90 doza gati për shitje, plus dy pako të kompresuara. Disa prej tyre ishin në pamje të hapur në dhomë, ndërsa të tjerat në dollapë bashkë me sendet personale të Hykajt.
Policia gjeti gjithashtu 1,800 paund cash të mbështjella me të njëjtat shirita shumëngjyrësh që u përdorën edhe në Ardleigh. Bastisja në adresën në “The Vale” zbuloi 38-vjeçarin shqiptar Albert Doci duke fjetur brenda. Policia gjeti 2,000 paund cash me të njëjtat shirita shumëngjyrësh, tre qese të vogla me pluhur të bardhë dhe qese plastike të ngjashme me ato që përdoreshin për paketimin e drogës në Ardleigh.
Barros dhe Hykaj pranuan faktet gjatë marrjes në pyetje nga policia.
Barros tha se punonte për Docin, duke marrë drogë prej tij dhe duke i kthyer paratë, por pretendoi se kishte pak kohë që merrej me këtë dhe ndonjëherë nuk paguhej fare. Hykaj tha se ishte deportuar nga Britania në tetor, por më pas ishte trafikuar sërish në mënyrë të paligjshme dhe ishte detyruar të punonte për grupin. Gjykatësi John Bristow e dënoi Hykajn me tre vite burg, ndërsa Barros me një vit e nëntë muaj burg. Çështja e Docit u shty për një datë që ende nuk është përcaktuar. /Piranjat
© SYRI.net