SYRI TV/ Sarandë, ekzekutohet biznesmeni Rexhep Ismaili, 66-vjeçari u vra në lokalin e tij

15:50, 08/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Biznesmeni Rexhep Ismaili është ekzekutuar me armë zjarri në lokalin e tij në fshatin Gjashtë, në Sarandë. 66-vjeçari u vra me një plumb në kokë pasi mbrojti bashkëfshatarin nga një grup agresorësh që po e dhunonin. Një grup personash hyri me forcë në lokalin e tij dhe dhunoi Tori Rucin, me të cilin ishte ulur në tavolinë, por Ismaili ndërhyri duke hapur zjarr mbi ta. Autorët u kundërpërgjigjën duke e lënë të vdekur në vend. Gjatë konfliktit pati shkëmbim zjarri, ku dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër. Policia ka identifikuar Lulzim Tabakun si autor të dyshuar të vrasjes, i cili ndodhet në kërkim së bashku me personat e tjerë të përfshirë në ngjarje.

Qyteti i Sarandës u trondit mbrëmjen e së enjtes nga një ngjarje e rëndë. Biznesmeni 66-vjeçar, Rexhep Ismaili, i cili mbante edhe detyrën e kryetarit të Shoqatës “Çamëria”, u ekzekutua me armë zjarri në lokalin e tij në fshatin Gjashtë, rreth orës 21:28. Policia ka identifikuar Lulzim Tabakun si autor të dyshuar të vrasjes, i cili ndodhet në kërkim.

Sipas burimeve, ngjarja nisi pas një konflikti për çështje pronësie mes disa personave dhe bashkëfshatarit të tij, Tori Ruci. Gjashtë persona hynë me forcë në lokal dhe dhunuan Rucin, i cili ishte ulur në tavolinë bashkë me pronarin Rexhep Ismaili. Pas përplasjes fizike, autorët e goditën edhe me sende të forta bashkëfshatarin e tij.

Rexhepi, pasi tentoi të shuante sherrin mes tyre, në kulmin e tensionit qëlloi me armë drejt agresorëve, ku mbeti i plagosur njëri prej tyre. Agresorët u kundërpërgjigjën me pistoletë dhe një plumb e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe një nga agresorët, i cili nuk është paraqitur në spital. Pas krimit, autorët u larguan me shpejtësi.

Në vendngjarje, policia sekuestroi një automjet luksoz, tip Audi Q8, që dyshohet se i përkiste personave të përfshirë, si dhe kamerat e sigurisë në zonë, të cilat do të ndihmojnë autoritetet për zbardhjen e ngjarjes. Forcat e rendit vijojnë kontrollet në disa zona për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Ndërkohë, Tori Ruci, i cili ishte objektivi i sulmit, rezulton person me precedentë penalë për trafik droge.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco