66-vjeçari Rexhep Ismaili nuk ishte shkaku i ngjarjes që çoi në vrasjen e tij, por një grup të rinjsh shkoi në lokalin e tij mbrëmjen e djeshme për një konflikt lidhur me një pronë në zonën e bregdetit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjashtë të rinj, rreth orës 21:28 të enjtes, shkuan tek lokali në kryqëzimin e rrugës Sarandë–Himarë, pasi kishin informacion se aty ndodhej 50-vjeçari Tori Ruci, alias Viktor Ruci, me origjinë nga Tepelena dhe banues prej vitesh në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Ruci ka precedentë të shumtë penalë që nga fillimi i viteve 2000. Ai ishte liruar nga burgu më 12 mars 2026, pasi ishte arrestuar më 19 shkurt të këtij viti si pasojë e një dënimi të munguar prej 8 muajsh burg për “moskallëzim krimi” në vitin 2019. Ruci u lirua pasi dënimi i tij kishte parashkruar. Ai rezultonte gjithashtu i përfshirë në një grup trafiku droge, të goditur nga policia e Sarandës në vitin 2018.
Njëri prej të rinjve të përfshirë dje kishte pasur mosmarrëveshje me Rucin për çështje pronësie, dhe për këtë kishte thirrur disa shokë të tij. Ata shkuan së bashku tek lokali i 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ku në verandë gjetën të ulur Rucin, Ismailin dhe tre persona të tjerë, rreth familjarë e shokë të tyre.
Menjëherë nisi një debat fizik me sende të forta mes palëve, ku objektivi kryesor i grupit ishte Tori Ruci. Pas një shkëmbimi të goditjeve, Rexhep Ismaili hyri brenda lokalit dhe doli me një armë zjarri tip “Kallashnikov”, duke hapur zjarr disa herë ndaj grupit të të rinjve. Njëri prej tyre mbeti i plagosur.
Nga ana tjetër, grupi i të rinjve ka kundërpërgjigjur me pistoletë, duke qëlluar një herë në kokë Ismailin, i cili mbeti i vdekur në vend.
© SYRI.net