Policia bllokon tregun industrial në Vlorë, tregtarët: Ne nuk lëvizim nga këtu. Po na lini pa bukë

10:33, 08/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një situatë e tensionuar është krijuar mëngjesin e së hënës në Vlorë, ku tregtarët e tregut industrial janë përballur me praninë e Policisë Bashkiake, e cila ka bllokuar hyrjet dhe ka ndaluar aktivitetin e tyre.

Ky veprim i papritur, sipas tregtarëve pa asnjë njoftim zyrtar paraprak, vjen si pasojë e nisjes së punimeve për rikonstruksionin e zonës, duke i lënë dhjetëra prej tyre në mes të katër rrugëve.

Tregtarët thanë se ishin njoftuar vetëm gojarisht se duhej të largoheshin, por pa iu dhënë një afat konkret apo një alternativë për zhvendosjen e veprimtarisë së tyre. Të gjendur para faktit të kryer, ata shprehen të indinjuar dhe të dëshpëruar.

"Ku do vemi neve? Na thonë vetëm 'ik'", shprehet njëri prej tyre.

Shumë prej tyre theksojnë se e kanë paguar rregullisht taksën mujore dhe tani rrezikojnë që malli t'iu prishet, pasi nuk lejohen as të hyjnë për ta marrë.

Sipas informacioneve, në zonën e tregut industrial parashikohet një projekt rikonstruksioni, i cili do ta transformojë atë në një hapësirë me dyqane moderne. Ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë që përfshin edhe qendrën historike të qytetit.

Megjithatë, mes tregtarëve ka dyshime dhe pasiguri, ku disa shprehen se në vend të tregut do të ndërtohen kulla dhe pallate, duke iu referuar mungesës së një përgjigjeje të qartë nga bashkia.

Deklarata e banorëve:

“Ne na ndoqën o vlla, ku do vemi? Vetëm na thonë ik! Po ku do shkojmë ne? Kemi mallin atje. Ne nuk lëvizim, jetojmë ditë për ditë me këtë punë.

Të vijë të bëjë treg këtu afër ku punojmë neve. Ajo thotë shko në Nartë. Çfarë Narte? Pse nuk ka ardhur këtu?

Na ka rrethuar me polici sikur jemi të dënuar. Ne s’jemi kriminelë. Rri policia aty sikur jemi kriminela ne këtu. Kjo gjë është shumë e padrejtë.

Ne po na prishet malli. Kemi 300 mijë lekë mall. Po na ka pezulluar edhe po na bllokon. Na la pa bukë. Duhet të kishim një lajmërim përpara.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco