VIDEO- Grabitje me armë në pika karburanti dhe biznese në Itali, arrestohen dy shqiptarë/ Policia zbardh 25 ngjarje kriminale

VIDEO- Grabitje me armë në pika karburanti dhe biznese në Itali, arrestohen dy shqiptarë/ Policia zbardh 25 ngjarje kriminale

20:43, 07/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit italian në Salerno ka çuar në arrestimin e dy 22-vjeçarëve me origjinë shqiptare, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në grabitje me armë, vjedhje automjetesh dhe përvetësim të mjeteve të vjedhura. Dy persona të tjerë, të përfshirë në të njëjtën çështje, janë shpallur në kërkim.

Sipas autoriteteve italiane, hetimet nisën pas një serie grabitjesh dhe vjedhjesh të kryera gjatë muajve mars dhe prill, kryesisht në zonën Agro Nocerino-Sarnese, por edhe në territore të tjera përreth. Objektivat kryesore të grupit ishin pikat e karburantit dhe aktivitete të ndryshme tregtare.

Bilanci i aktivitetit kriminal është i rëndë: 25 grabitje të rënda, 5 vjedhje automjetesh dhe 20 episode të përvetësimit të mjeteve të vjedhura.

Policia italiane bëri të ditur se autorët vepronin në intervale shumë të shkurtra kohore, duke përdorur automjete të vjedhura për të realizuar grabitjet. Ata mbërrinin të maskuar dhe të armatosur me pistoleta, duke kërcënuar punonjësit e pikave të karburantit dhe bizneseve për të marrë xhiron ditore.

Hetuesit zbuluan gjithashtu se grupi përdorte një skemë të mirëorganizuar: merrnin makina me qira dhe më pas vidhnin automjete të tjera që përdoreshin në grabitje dhe aksione kriminale.

Identifikimi i të dyshuarve u bë i mundur falë analizës së një sasie të madhe të dhënash, pamjeve të kamerave të sigurisë dhe përgjimeve telefonike. Skuadra Mobile e Salernos arriti të rindërtojë në detaje të gjitha episodet kriminale që dyshohet se janë kryer nga grupi.

Ndaj të hetuarve rëndojnë akuzat për “organizatë kriminale me qëllim kryerjen e grabitjeve dhe vjedhjeve”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco