Policia e Tiranës informoi sot se kanë qenë 56 studentë të Akademisë së Policisë që janë paraqitur dje (6 maj 206) në shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Infektiv në QSUT, të dyshuar për helmim nga ushqimi.
Në lidhje me këtë skandal policia ka arrestuar kuzhinierin Kujtim Ballgjini, 52 vjeç dhe Kristjana Plaka, 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë 'Sori - AL' e kontraktuar për të ofruar ushqim katering në 3 vakte në Akademinë e Sigurisë.
Ndërsa u shpall në kërkim pronarja e kompanisë, shtetasja Alma Tafani, 52 vjeçe si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani.
Policia informon se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve” dhe se po punohet për arrestimin e shtetases Alma Tafani, individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Nga ana e saj Ministria e Shëndetësisë informon se të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit.
Njoftimi i policise
Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:
-arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;
-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe.
Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”
Reagimi i ministrise së Shëndetësise
Ministria informon se të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, studentët janë larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.
Ditën e djeshme, më datë 06.05.2026, rreth 50 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur në shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Infektiv në QSUT, të dyshuar për helmim nga ushqimi. Menjëherë pas paraqitjes së tyre, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor për çdo rast. Shërbimi Infektiv dhe Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gjendje gatishmërie pas marrjes së njoftimit, duke shtuar kapacitetet e stafit në shërbim dhe duke garantuar menjëherë stokun e nevojshëm të barnave.
Po ashtu, të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit.
© SYRI.net