Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme zgjati me tre muaj afatin e hetimeve për tre vëllezërit Aleksandër, Kristi dhe Fation Bushgjokaj, si dhe për Petrit Çakrin, të dyshuar për vrasjen e të riut Renis Dobra.
Gzetari Fajton Gjinaj njofton se, SPAK ka kërkuar kohë deri në muajin tetor për të kryer disa hetime shtesë, me argumentin se është e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore në kuadër të ekspertimit të telefonave, si dhe e disa mbivendosjeve të gjurmëve papilare.
Avokati Erjon Kullolli, përfaqësuesi ligjor i shtetasit Fation Bushgjokaj, e kundërshtoi kërkesën e organit të akuzës, duke argumentuar se Prokuroria e Posaçme ka pasur mundësinë objektive t’i kryente veprimet procedurale të pretenduara, por ende nuk i ka realizuar.
Ai shtoi gjithashtu se, deri në këtë fazë procedurale, SPAK ende nuk ka argumentuar kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit” dhe as se kjo vepër është kryer në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm, në një grup të strukturuar kriminal.
Avokati mbrojtës i Bushgjokaj shtoi se kërkesa e SPAK bie ndesh me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pasi prokuroria nuk ka arsyetuar dhe argumentuar shkaqet pse masa e sigurimit “arrest në burg” është masa më e përshtatshme.
Ndërsa përfaqësuesi ligjor, i caktuar kryesisht nga gjykata për shtetasin Petrit Çakri, mbajti qëndrimin duke e lënë në vlerësim të gjykatës kërkesën.
Të arrestuarit akuzohen për vrasjen e të riut Renis Dobra, ngjarje e shënuar në muajin korrik të vitit 2025.
Ndërkohë, dy seanca më parë, tre vëllezërit u përfshinë në një konflikt fizik me të akuzuarin tjetër, Petrit Çakri, në sallën e gjyqit, pasi ky i fundit i implikoi ata në vrasjen e Dobrës.
© SYRI.net