Në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë janë referuar disa raste penale të konstatuara gjatë kontrolleve dhe kallëzimeve të qytetarëve.
Në një lokal në Lezhë u gjet një tavolinë pokeri me çipsa dhe letra bixhozi, ndërsa administratori R. V., 27 vjeç, u procedua në gjendje të lirë.
Në një rast tjetër është shpallur në kërkim V. D., 48 vjeç, i dyshuar për mashtrim me premtimin e sigurimit të dokumenteve të huaja.
Gjithashtu janë proceduar disa shtetas për konflikte pronësie dhe dëmtim prone, si dhe një 34-vjeçar që dyshohet se ka rrezikuar qytetarët duke hedhur një televizor nga banesa.
Policia Rrugore Lezhë arrestoi një 32-vjeçar pa leje drejtimi, i cili u përfshi në një aksident me tre automjete, ku dy persona mbetën të plagosur dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në aksin Milot–Rrëshen është saktësuar se viktima është shtetasi H. K., 81 vjeç, banues në Dibër, ndërsa vijon puna për kapjen e drejtuesit të automjetit që u largua nga vendngjarja.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. V., 27 vjeç, administrator i një lokali. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë u konstatua një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, po nga këto shërbime u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi V. D., 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim një shtetas 53 vjeç, i cili pretendon se nëpërmjet mashtrimit i është marrë një shumë parash, duke i premtuar sigurimin e dokumenteve të huaja për djalin e tij.
Po këto shërbime referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasit:
* K. H., 50 vjeç, banues në Ishull Lezhë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim një shtetas 59 vjeç, banues në Lezhë, i cili pretendon se i ka hequr rrjetën rrethuese të tokës, duke pretenduar pronësinë mbi të;
* A. N., 34 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka rrezikuar jetën e qytetarëve duke hedhur një televizor nga dritarja e banesës, për të liruar hapësirën e saj.Shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 32 vjeç, banues në lagjen “Gurra”, Lezhë, pasi drejtonte automjetin pa leje drejtimi. Gjatë një parakalimi të gabuar, ai ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me dy automjete, me drejtues shtetasit B. L., 56 vjeç, banues në Fushë-Milot, Kurbin dhe H. J., 25 vjeç, banues në Zvicër. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar shtetasi B. L, dhe shtetasja A. J, pasagjere në automjetin e drejtuar nga shtetasi H. J, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme lidhur me aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Milot–Rrëshen, ku një automjet me drejtues ende të paidentifikuar përplasi një këmbësor, i cili humbi jetën, ju bëjmë me dije se: Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se shtetasi që humbi jetën nuk ishte shtetasi N. L që u identifikua nga të dhënat paraprake që u morën nga personat në vendngjarje por ishte shtetasi H. K., 81 vjeç, banues në fshatin Zerqan, Dibër. Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.
© SYRI.net