Ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj 'mbyllin hesapet me burgun' në të njëjtin vit kur mbaron kontrata koncesionare e sterilizimit që kushtoi xhepave të shqiptarëve 153 milion euro.
Gjykata e Posaçme liroi sot ish-zv/ministrin Klodjan Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që u arrestuan në gusht të 2023.
Shkak për shuarjen e masës është bërë fakti se sipas përllogaritjeve, atyre u ka përfunduar koha e dënimit më mbajtjen në paraburgim.
Zanafilla
Në 4 mars 2026, GJKKO shpalli vendimin për tetë nga nëntë të pandehurit për aferën e koncesionit të sterilizimit, proces që u zhvillua me gjykim të shkurtuar pas ndarjes më vete të çështjes së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj që zgjodhi gjykim të zakonshëm dhe për këtë çështje kishte vetëm masën e detyrimit për tu paraqitur
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bib Ndreca dhe me anëtarë Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri vendosi që të shpallë fajtorë ish. zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj për veprën penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”, ndërsa rrëzuan një nga akuzat kryesore ajo e grupit të strukturuar kriminal.
Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj u dënuan nga GJKKO me nga 6 vite burg për veprat penale. Duke përfituar zbritjen e dënimit me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 4 vite për secilin. Ndërsa për të pandehurit e tjerë, Marsela Serjani, Naile Ajazi, Arben Gjata, Genc Burazeri, Petref Mersini dhe Saimir Kadiu, masat e dënimit ndaj tyre ose u shuan, ose u konvertuan në shërbim prove.
Pra Rrepaj dhe Rrapaj u shpallën të pafajshëm për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal, duke sfumuar kështu akuzën dhe ndëshkimin për një nga aferat më të mëdha me tenderat publik dhe një muaj më pas, 17 prill të lirohen nga burgu pasi sipas përllogaritjeve, atyre u ka përfunduar koha e dënimit më mbajtjen në paraburgim.
Beqaj gjykohet më vete
Ndërkohë ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet i vetëm nën akuzë vjedhje duke shpërdoruar detyrën si grup kriminal. Në seancën e 7 prillit të këtij viti, Beqaj u ankua për këtë akuzë.
Dy prokurorët, Eneid Nakuç dhe Edvin Kondili, argumentuan se në bindjen e brendshme, ata janë për akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, e njëjta që e dërguan çështjen për gjykim, por theksuan se ishte gjykata, ajo që gjatë shqyrtimit të seancës paraprake, përmes gjyqtares Flojera Davidhi, u sugjeroi të rëndonin akuzën. Sipas prokurorëve, ata pranuan që ta ndryshonin akuzën pasi në rast të kundërt, çështja do të kthehej sërish për hetim.
Megjithë kundërshtinë e Ilir Beqajt në sallë dhe avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, ndaj kësaj akuze, e cila sipas tyre nuk mbështetet në bazë ligjore, nuk pati një tërheqje të SPAK për ta ndryshuar atë, apo një vendimmarrje të gjykatës për këtë situatë. Të gjitha mundësitë janë, që siç ndodhi me dyshen Rjepaj – Rrapaj, në rast të dënimit, gjykata ta rrëzojë akuzën e grupit të strukturuar kriminal në përfundim të procesit, duke sfumuar kështu akuzën dhe ndëshkimin për një nga aferat më të mëdha me tenderat publik
Koncesioni
Kontrata e partneritetit publik privat të sterilizimit, i cili u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 153 milionë euro, është një ndër katër kontratat e kushtueshme të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë.
Hetimet e kryera nga SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit me qëllimin e vetëm të shpalljes fituese të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.
Rrapaj zotëronte 40% të aksioneve në konsorciumin e kompanive fituese. Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin, hartimin e kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të paracaktuara si dhe mosveprimin për zgjidhjen e konfliktit të interesit. Shkelje ligjore u gjetën edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”

Ne foto: Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj
© SYRI.net