Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, e mërzitur nga mbyllja në një nga shtëpitë e asaj, ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’ dhe sot ka duke depozituar rekurs në Gjykata e Lartë, ku kërkon heqjen e masës së sigurisë të vendosur ndaj saj.
Shorti elektronik ka përcaktuar si gjyqtar relator për shqyrtimin e kësaj kërkese gjyqtarin Genti Shala, i cili do të vendosë mbi pranueshmërinë dhe themelin e rekursit të paraqitur nga ish-zyrtarja e lartë.
Karçanaj ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, e vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të një hetimi të thelluar të nisur nga SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme ish-drejtoresha e AKSHI-t është e përfshirë në skandalin e tenderave sekretë të institucionit që drejtonte, ku janë favorizuar subjekte të lidhur me qeverinë, konkretisht me baxhanakun e Edi Ramës, Armang Frangu. SPAK e akuzon Karçanajn për veprën penale ‘shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike’, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn se krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes. Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan arrestimit, ndërsa drejtoresha dhe zv.drejtoresha e AKSHI ndodhen në ‘arrest shtëpie’.
Bazuar në kërkesën e SPAK, në dhjetor 2025 Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshi drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zv. drejtoreshën Hava Delibashi të cilat u vendosën në ‘arrest shtëpie’. Në fillim të muajit prill, gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë për Delibashin, duke e lënë në ‘detyrim paraqitje’.
Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin – një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i struktuaruar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.
I përfshirë në skemë dyshohet edhe Erion Ismaili, zv.drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit gjykata ka vendosur ‘pezullim nga detyra’ dhe ‘ndalim për të dalë jashtë vendit’. Po ashtu të akuzuar janë dhe Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, tre biznesmenë ndaj të cilëve është vendosur masë sigurimi ‘ndalim për të dalë jashtë vendit’. Të tre akuzohen se morën pjesë në skemën e manipulimit duek lëshuar fatura fiktive apo marrë pjesë fiktivisht në garat e zhvilluara.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, është një prej institucioneve më sensitive në vend, pasi menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshi dhe ministren me Inteligjencë Artificiale, ndërsa kryer rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme në lëshimin e qindra dokumenteve.
Agjencia ka qenë herë pas herë nën kritika për mënyrën e menaxhimit dhe tenderat sekretë, të justifikuar me siguri kombëtare, por skema e hetuar nga SPAK zbulon se kjo agjenci dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdor ndër të tjera pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tenderat dhe para publike. Ndërsa zbulojnë një skemë abuzime me paratë publike hetimet e SPAK po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cënimin e sigurisë kombëtare.
© SYRI.net