Zjarri që shkrumboi pallatin në Tiranë dëshmoi edhe njëherë degradimin e shtetit. Mjetet zjarrëfikëse nuk afroheshin dot tek pallati që digjej për shkak të zaptimit të rrugëve nga lejet e ndërtimit pa kriter, ndërsa forcat zjarrëfikëse u detyruan të luftonin me flakët në mungesë të mjeteve. Prefekti i Tiranës do të mbyllte ditën duke deklaruar se shteti nuk prokupohet për strehimin e familjeve të dëmtuara se kanë kushërinj, ndërsa në mëngjes kryeministri Edi Rama do të merrte rolin e Prokurorit, ekspertit të zjarreve dhe ndërtuesit, duke shmangur çdo procedurë ligjore, për të deklaruar se pallati do të rindërtohej nga ndërtuesi edhe pse ai nuk ka faj.
Video SYRI TV
Zjarri i rënë dje (14 prill) në pallatin Arlis pranë farmacisë nr 10 në Tiranë nuk ishte veç një ngjarje tragjike që shkrumboi apartamentet e 30 familjeve por ishte një pasqyrë e dështimit të shtetit, ndërtimeve pa cilësi e mungesës së infrastrukturës mbrojtëse. Flakët e rëna në katin e parë të godinës vijuan për disa minuta, ku as bizneset, as pallati por as sturkturat shtetërore nuk kishin mjetet e duhura për të vepruar në kohë, për të minimizuar dëmete.
Sikur të mos mjaftonin vetëm mungesa e mjeteve të detyruara me ligj për të qenë pranë çdo biznesi e godine, por edhe për forcat zjarrëfikëse ishte e pamundur që të arrinin në kohë, kjo për shkak të dhënies së lejeve të ndërtimit pa kriter e bllokimit të rrugëve nga këto ndërtime. Janë të paktën dy zjarrëfikëse të bllokuara për shkak të ndërtimeve pa kriter. E para një zjarrëfikse, që ngeci mes një shtegu të pallatit që po digjej dhe godinave ekzistuese, duke i dhënë kohë flakëve të përhapeshin.
E njëjta situatë ishte edhe në anën tjetër të kompleksit, ku autoboti ngeci mes pallatit dhe një godine ekzistuese.
Teksa kaluan mes ngushticave të krijuara me leje nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, zjarrëfikësit detyroheshin të luftonin me flakët në mungesë të mjeteve të duhura. Siç duket edhe nga pamjet, forcat zjarrëfikëse nuk kanë shkallët për të shkuar deri në katet e fundit të këtyre ndërtesave, por deri në katin e pestë.
Në mungesë të mjeteve, nuk do të mungonte show me helikopterët e ushtrisë, duke shpikur një metodë unikale në botë të shuarjes së flakëve në një pallatë duke hedhur ujë nga ajri, që më së shumti shërbeu për të lagur zonën përreth.
Ndërsa forcat zjarrëfikëse kishte ngecur në shtigjet e mbyllura rreth pallatit, nuk mungoi show, ku ministri i brendshëm Besfort Lamallari shëtiste në sheshin e pallatit ndërsa flakët vijonin të përhapeshin me shpejtësi.
Flakët përpinë të gjithë kullën ku ra zjarri, e në fund ishte Prefekti i Tiranës Shkëlqim Hajdari, që ju dha zgjidhjen banorëve që natën ta kalonin nga kushërinjtë, pasi shteti nuk do të shqetësohej për strehimin e tyre.
Përballë ekspozitës së shtetit të degraduar, në orët e para të mëngjesit ndërhyrja erdhi nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili tashmë kishte marrë rolin e ekspertit të zjarrit, drejtësisë dhe ndërtuesit. Në vend të zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe dëmshpërblimit sipas ligjit e në kohë sa më të shpejtë të banorëve, kryeministri Edi Rama shfajësojë ndërtuesin për shkakun e pasojat, dhe u shpreh se ai do të rindërtojë sërish pallatin.
"Ndërtesa që u dogj dje në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht faktit se të dhënat paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit nuk ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin' shkruan Rama.
Vetëvendosja pa ligj, me sjellje sa autoritare dhe populiste nga kryeministri Edi Rama ngre edhe më shumë alarmin, e mungesës së strukturave për zbatimin e ligjit, që këto ngjarje jo vetëm të ndëshkohen por edhe të parandalohen duke kryer kontrolle në kohë, marrjen e masave kundër zjarrit apo rritjen cilësisë së ndërtimeve.
© SYRI.net