Detaje të reja nga vdekja e 78 vjeçarit në fshatin Bulgarec të Korçës.
Policia konfirmon se kemi të bëjmë me një vrasje. Nuk ka të bëjë me vdekje për shkaqe natyrore por është ngjarje kriminale.
78-vjeçari, Gëzim Vija u gjet pa shenja jete në banesën e tij mëngjesin e sotëm.
Ai rezulton se është goditur në kokë me mjete të forta, çka i ka shkaktuar vdekjen. Në komisariat janë shoqëruar të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimës ku u janë marrë deklarimet për konflikte të mundshme.
Për të zbardhur dinamikën, motivet dhe autorin/autorët, policia dhe prokuroria po përdorin metoda speciale hetimi.
Hetimet janë përqëndruar në dy pista, atë të vjedhjes me pasojë vdekjen pavarësisht se në banesën e viktimës nuk janë konstatuar vjedhje të hollash apo sende me vlerë, dhe vrasja për motive të tjera.
Në vendngjarje prej mëngjesit ka qenë edhe drejtori i policisë Vilson Bala, shoqëruar nga zëvendës drejtori i krimeve Elton Halili dhe shefi i komisariatit Faik Ruko, për të bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes e për të gjetur elementë për zbardhjen e ngjarjes, informon gazetarja e Syri Tv, Sidorela Xhomaqi.

© SYRI.net