Katër persona janë shpallur në kërkim, ndërsa është arrestuar polici i cili iu kundërpërgjigj me armë zjarri autorëve të atentatit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në berberhanen në fshatin Rrilë të Lezhës.
Polici i arrestuar është Besart Kovaçi. Të shpallur në kërkim janë Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt dhe tre persona të tjerë Geraldo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka.
Ata dyshohen për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00 të së dielës kur autorët, të dyshuar 3, të cilët lëviznin me një mjet tip Audi qëlluan me breshëri plumba drejt biznesit, duke lënë të plagosur me tre plumba pronarin e saj Sokol Daci, 30 vjeç, (Foto). I plagosur mendohet se ka mbetur dhe Merando Nikulaj.
Ekspertët e policisë janë rikthyer sërish paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrile, të cilët po marrin gjurmët e gjakut në vendngjarje, për të bërë ADN-në me qëllim zbulimin e identitetit të personit të dytë të plagosur.
Zyrtarisht për shkak të hetimeve, policia nuk jep të dhëna të tjera. Po analizohen kamerat e banesave dhe bizneseve në zonë, për të parë lëvizjet e automjetit të autorëve para dhe pas ngjarjes, teksa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 40 gëzhoja automatiku dhe një pistoletë.
Fisi Nikulaj, prej vitit 1996, ndodhet në hasmëri dhe është përfshirë në një seri vrasjesh me fisin Palaj, Lektasaj, dhe nuk dihet nëse ky atentat ka lidhje me vijimin e sagës së hakmarrjes.

Foto: Xhami i demtuar nga breshëria e plumbave dhe Sokol Daci i plagosur
Njoftimi i policise
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2026, rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar intensivisht hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në vijim të veprimeve u ekzekutua urdhri i ndalimit, i lëshuar nga Prokurori, për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se si të dyshuar në këtë ngjarje janë përfshirë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Për shkak të hetimeve, nuk jepen të dhëna të tjera.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në ngarkim të shtetasve G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të dyshuar për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe në ngarkim të shtetasit B. K., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
© SYRI.net