Një rrëshkitje masive dheu dhe gurësh ka bllokuar totalisht aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas, duke paralizuar të gjithë qarkullimin që lidh kryeqytetin me juglindjen e vendit.
Ngjarja ndodhi në mëngjes, rreth orës 11:00, në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës, ku një pjesë e madhe e shpatit të malit u shkëput dhe mbuloi të dyja korsitë e rrugës. Si pasojë, aksi i vetëm rrugor që lidh Tiranën me Pogradecin, Korçën dhe pikën kufitare të Qafë Thanës me Maqedoninë e Veriut është tërësisht i pakalueshëm.
Kjo ka krijuar radhë kilometrike automjetesh, ndërsa qindra qytetarë dhe mjete të transportit të mallrave kanë mbetur të bllokuar. Shumë drejtues mjetesh, pas orësh të tëra pritjeje, janë detyruar të kthehen mbrapsht. Në terren ndodhen forca policie dhe mjete të rënda, të cilat po punojnë për pastrimin e rrugës, por operacioni paraqitet i vështirë dhe me rrezikshmëri të lartë.
Korrespondentja e Syri TV, Margarita Mëhillka në një lidhje të drejtëpërdrejtë për edicionin e lajmeve u shpreh se zona vijon të jetë e paqëndrueshme dhe herë pas here ka rënie të tjera gurësh, duke rrezikuar jetën e punonjësve.
Sipas saj, një masiv tjetër i madh shkëmbor rrezikon të shkëputet, çka e bën situatën edhe më alarmante. Fati ka shpëtuar nga një tragjedi e mundshme drejtuesit e disa automjeteve.
Mëhillka tregon se një dëshmitar, i cili ndodhej vetëm 100 metra larg vendit të ngjarjes, tregoi se një mjet tip “Benz” arriti të kalonte vetëm pak sekonda përpara se masivi shkëmbor të binte në rrugë.
Më pas, ai ka sinjalizuar drejtuesit e tjerë për të ndaluar, duke evituar një fatkeqësi. Situata u komplikua edhe nga një vonesë në njoftimin zyrtar nga ana e policisë, i cili erdhi rreth një orë pas bllokimit të rrugës.
Kjo bëri që shumë drejtues mjetesh të pa informuar të vazhdonin lëvizjen drejt zonës së bllokuar, duke shtuar kaosin. Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin lëvizjen në këtë aks deri në një njoftim të dytë për normalizimin e situatës. Ky incident është i fundit në një seri rastesh që nxjerrin në pah problematikat dhe dobësitë e infrastrukturës rrugore në vend.
Raportimi i korrespondentes se SYRI TV:
Ndodhemi pikërisht në aksin Librazhd-Prrenjas në kthesat e Dragostunjës aty ku që prej orës 11:00, aksi rrugor ishte i bllokuar për shkak të rrëzimit të shkëmbinjve masiv. Ndërkohë që në këto momente vijon që të ketë shkëmbinj dhe pjesë të tjera nga masivi në mal të cilat vijojnë të bien, duke rrezikuar kështu dhe jetën e punonjësve të cilët janë duke punuar aktualisht për lirimin e rrugës. Aktualisht policia është duke larguar dhe drejtues të automjeteve që janë afruar në zonë për të parë nga afër problematikën, ndërkohë që vijon që rrezikshmëria të jetë e lartë.
Në këto momente janë pjesë të vogla shkëmbore që bien, por siç shihet me sy të lirë, një masiv mjaft i madh shkëmbi që ndodhet në majë të pjesës së kodrës është gati për t'u shkëputur dhe për t'u rrëzuar. Në fakt që prej orës 11:00 katër fadroma kanë zbritur në terren, megjithatë situata vijon të jetë e njëjtë ku të dyja krahët e rrugës nacionale Librazhd-Prrenjas vijojnë të qëndrojnë të bllokuara prej më shumë se dy orësh.
Kemi mundur të marrim dhe intervista ku vetë drejtuesit e automjeteve shprehen të shqetësuar për këtë situatë. Një person tregon se ka qenë rreth 100 metra larg kur u shemb masivi shkëmbor .
Ai tregon në momentet e para që ka qenë një automjet tip Benz që ja ka dalë, ka kaluar pa pasur problematika duke rrezikuar kështu dhe që masivi shkëmbor t'i bjerë sipër. Por fatmirësisht, ka mundur që të kalojë përpara se i gjithë masivi shkëmbor të bjerë, por gjithashtu ka sinjalizuar dhe drejtuesit e tjerë të automjeteve që të ndalen.
Pikërisht, ndonëse masivi shkëmbor ka rrëshqitur rreth orës 11:00 të ditës së sotme, njoftimi nga ana e policisë ka ardhur vetëm shumë pranë orës 12:00, një orë me vonesë, duke bërë që kështu shumë drejtues të vijojnë dhe qarkullimin e tyre nga Librazhdi në Prrenjas apo dhe në drejtim të Maqedonisë por dhe të Korçës.
Kemi pasur mundësinë që të kemi komunikim me drejtues automjetesh që kanë qenë duke shkuar në drejtim të Maqedonisë, duke qenë se jemi mundur të pozicionohemi vetëm në krahun nga ana që shkon nga qyteti i Librazhdit drejt pjesës së Pogradecit por dhe të Prrenjasit, duke qenë se ana tjetër është e pamundur për t'u aksesuar për shkak dhe të shiritit të rrezikut në fakt dhe të policisë që ndodhet këtu. Në fakt rreziku është shumë i madh në pjesën ku punonjësit janë duke punuar aktualisht duke qenë se, vijon që të ketë shkëputje të herëpashershme nga masivi shkëmbor, por deri tani më tani nuk ka pasur incidente në punonjësit që janë aty, duke qenë se kujdesi që po tregohet është i madh.
© SYRI.net