Një oficer i Policisë së Shtetit është përfshirë në një konflikt fizik gjatë orëve të natës në qytetin e Sarandës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, në lagjen nr. 3 të qytetit, ku është konfliktuar oficeri i krimeve pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, Mihal Velço.
Sipas dëshmisë së dhënë prej tij, Velço ka deklaruar se ishte duke udhëtuar me motor kur është ofenduar dhe sharë nga një grup personash të panjohur. Ai ka treguar se ka zbritur nga motori dhe më pas ka nisur një përleshje fizike me ta.
Oficeri ka deklaruar se nuk njihte asnjërin prej personave të përfshirë dhe se konflikti ka qenë i momentit. Sipas tij, për pjesën tjetër të rrethanave do të vendosë hetimi. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.
LEXO EDHE: EMRI/ Dhunohet efektivi i policisë në Sarandë, u sulmua nga disa persona
Nga përplasja fizike, oficeri nuk ka pësuar dëmtime serioze. Pas konfliktit të shkurtër, personat e përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas marrjes së njoftimit, forca të shumta policie kanë nisur kontrolle në disa zona të Sarandës gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit. Janë kontrolluar banesa, lokale dhe ambiente publike, ndërsa disa persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje.
Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë dhe në zbardhjen e plotë të konfliktit.
Puna hetimore për ngjarjen vijon.
© SYRI.net