Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Xhino Agon, duke konfirmuar vendimin e datës 5 dhjetor të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj, raporton se Apeli ka ndryshuar vetëm një pikë të vendimit, konkretisht vlerësimin e arrestimit në flagrancë. Gjykata e ka shpallur të paligjshëm arrestimin në flagrancë të Xhino Agos, me argumentin se ai nuk është prangosur në kushtet e flagrancës.
Pavarësisht këtij vlerësimi, trupa gjykuese ka çmuar se kushtet për mbajtjen në fuqi të masës “arrest në burg” vijojnë të ekzistojnë, duke e lënë Agon në qeli.
Xhino Ago dyshohet nga organet e drejtësisë si bashkëpunëtor në vrasjen e Mondi Mëhallës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Mondi Mëhalla u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe një në trup, mbrëmjen e 30 nëntorit kur sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil”, dhe hyri në makinë. Ai u qëllua në kokë me 2 plumba pistolete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Njëri nga autorët doli nga makina “Audi”, u afrua dhe qëlloi. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në Mirakë, brenda së cilës u gjet e djegur pistoleta Beretta, e përdorur në krim.
© SYRI.net