Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i PD në Gjirokastër, Armando Rabi, ka denoncuar në një postim në facebook prezencën e shtuar të forcave të policisë në fshatin Lazarat.
“Banorët sipas gazetarit Rabi, kërkojnë transparencë dhe respekt nga institucionet shtetërore, në mënyrë që të shmangen situata që krijojnë tension dhe pasiguri në jetën e përditshme të komunitetit”.
Mesazhi:
Reprezalje në fshatin Lazarat
Prani e shtuar e policisë në Lazarat, banorët shprehin shqetësim.
Banorët e fshatit Lazarat ankohen se që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm është vënë re një prani e shtuar e Policisë së Shtetit. Në fshat janë parë patrulla të Policisë së Rendit si dhe një furgon i forcave “Shqiponja”, çka sipas banorëve ka krijuar frikë dhe panik në komunitet.
Sipas ankesave të banorëve, kjo prani policore nuk është shoqëruar me asnjë njoftim apo sqarim zyrtar për arsyen e vendosjes së forcave në zonë. Duke marrë shkas nga këto shqetësime, në cilësinë e gazetarit por edhe si banor i fshatit, ndalova automjetin dhe pyeta komandantin e grupit “Shqiponja” për arsyen e kësaj pranie. Përgjigjja e marrë ishte: “Jemi për qejf”.
Kjo deklaratë ka shtuar edhe më shumë paqartësinë dhe pakënaqësinë e banorëve, të cilët ngrenë pyetjen se përse në një fshat normal si Lazarati duhet të ketë një prani të tillë të Policisë së Shtetit, pa një arsye të qartë dhe pa komunikim me qytetarët.
Banorët kërkojnë transparencë dhe respekt nga institucionet shtetërore, në mënyrë që të shmangen situata që krijojnë tension dhe pasiguri në jetën e përditshme të komunitetit.
© SYRI.net