Policia e Krujës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Ends”, duke zbardhur tre raste vjedhjeje me armë të ndodhura një ditë më parë. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar, një 30-vjeçar me precedentë të theksuar kriminal.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një vjedhje me armë, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit. Nga hetimet rezulton se shtetasi E. N. (Ll.), 30 vjeç, banues në Mamurras, dyshohet se në orët e para të mëngjesit ka vjedhur një automjet taksi, pasi ka kanosur me armë zjarri drejtuesin e saj.
Më pas, 30-vjeçari dyshohet se ka lëvizur me automjetin e vjedhur në drejtim të qytetit të Laçit, ku në dy karburante ka marrë shuma parash dhe sende personale nga punonjësit, duke i kanosur gjithashtu me armë zjarri.
Gjatë operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti i vjedhur tip taksi. Policia po vijon punën për kapjen e autorit, dokumentimin e plotë të këtyre rasteve, si edhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer prej tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.
© SYRI.net