Në Gjirokastër janë shënuar disa ngjarje penale dhe aksidente rrugore gjatë orëve të fundit. Një 19-vjeçar është arrestuar pasi gjatë një konflikti ka goditur me thikë një të ri, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Po për këtë ngjarje, një tjetër i ri po hetohet pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm, por nuk ka kallëzuar krimin.
Ndërkohë, në Tepelenë është shpallur në kërkim një 26-vjeçar, i dyshuar për kanosje dhe plagosje të lehtë pas një konflikti. Po ashtu, janë regjistruar edhe dy aksidente rrugore në akset Memaliaj–Tepelenë dhe Luftinjë–Izvor, ku disa persona kanë mbetur të dëmtuar lehtë dhe janë larguar në banesë pas ndihmës mjekësore.
Njoftimi i Policisë:
Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 19 vjeç, banues në fshatin Asim Zenel, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. G., 24 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Po në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin H. H., 18 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit të ndodhur, por nuk ka kallëzuar në Polici.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin V. Xh., 26 vjeç, banues në Tepelenë, pasi dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur dhe dëmtuar lehtë në këmbë shtetasin L. C., 38 vjeç, banues në Tepelenë. Punohet për kapjen e 26-vjeçarit.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. L., 64 vjeç, banues në Përmet, pasi në aksin rrugor "Memaliaj-Tepelenë", duke drejtuar automjetin, është përfshirë në një aksident rrugor ku si pasojë e përplasjes janë dëmtuar lehtë 2 pasagjere që ndodheshin në automjetin tjetër, të cilat pas ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë.Gjithashtu, po këta specialistë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi në aksin rrugor "Luftinjë-Izvor", shtetasi N. O., 25 vjeç, banues në fshatin Izvor, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë 25-vjeçari, i cili pas ndihmës mjekësore është larguar për në banesë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net