Mjeku imazherist nuk ofronte shërbim në shtet që pacientët të shkonin te privati, prokuroria jep detaje: Në banesë i gjetëm…

Mjeku imazherist nuk ofronte shërbim në shtet që pacientët të shkonin te privati, prokuroria jep detaje: Në banesë i gjetëm…

13:12, 04/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një mjek imazherist në spitalin e Fierit u arrestua pasi iu merrte rryshfet pacientëve për të kryer ekot. Arrestimi u krye pas një hetimi 4 mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit. Ndaj mjekut Gëzim Taullaj rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. 

Sipas policisë, mjeku u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale. Për shpërdorim detyre akuzohet se gjatë orarit të punës vizitonte pacientë në dy klinika private në Fier.

Policia i ka gjetur në banesë 66-vjeçarit edhe një shumë prej rreth 60 mijë eurosh. Paratë ishin të valutave të ndryshme, 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë që iu gjetën gjatë kontrollit të banesës.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, regjistroi procedimin penal nr. 929, datë 01.07.2025, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 248 dhe 259 i K. PenPenal. Ky procedim u regjistrua mbështetur në informacionet paraprake se, shtetasi G.T, i cili ushtronte detyrën si mjek imazherist pranë Spitalit Rajonal Fier, ishte përfshirë në veprimtari korruptive, me pacient që marrin shërbimin pranë këtij spitali.

Po kështu, dyshohej se gjatë orarit të punës, teksa ai duhet të shërbente pranë spitalit publik, largohet nga vendi i punës gjatë orarit të punës, duke mos ofruar shërbimet mjekësore pranë spitalit Publik. Gjatë orarit të punës mjeku ofron shërbime pranë spitalit privat “A” dhe klinikës private “I M”, të cilët ndodhen në afërsi të spitalit.

Pas regjistrimit të procedimit penal, në dinamikë të veprimeve proaktive-hetimore, është autorizuar kryerja e vëzhgimeve në vende publike si dhe kryerja e veprimeve simuluese me qëllim evidentimin e faktit penal objekt hetimi. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore të vëzhgimit dhe kryerjes së veprimeve simuluese është arritur të dokumentohet veprimtaria korruptive dhe janë konstatuar elemente të veprës penale “shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 dhe 259 pg.1 i Kodit Penal.

LEXO EDHE: Fier/ Gjykata vendos 'arrest në shtëpi' për mjekun imazherist

Veprimet korruptive në formën e marrjes së një përftimi të parregullt janë dokumentuar mbi bazën e veprimeve simuluese të autorizuar nga prokuroria në dy episode. Konkretisht atë të datës 29.10.2025 dhe datës 31.10.2025. Po kështu, veprimtaria e tij në mospërmbushje të rregullt të detyrës është dokumentuar nga raportet e vëzhgimit dhe veprimet e tjera simuluese të dokumentuar në procesverbalet dhe raportet e vëzhgimit.

Pas këtyre veprimeve hetimore disa mujore me medota speciale të hetimit dhe dokumentimit të episodeve të marrjes së vlerave monetare në formën e përfitimit të parregullt është bërë kapja flagrancë personin nën hetim G. T. Këtij shtetasi i është kryer kontroll personal dhe i banesës, ku gjatë kontrollit personal janë gjetur dhe kartëmonedhat të cilat ishin dhënë gjatë kryerjes se veprimit simulues të autorizuar nga Prokuroria. Shumat monetare që ju gjetën gjatë kontrollit personal të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës ishin në vlerën 27.800 lekë (njëzet e shtatë mijë e tetëqind).

Me tej, ndaj shtetasit nën hetim G.T, në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll i banesës. Gjatë kontrollit të banesës janë gjetur vlera të konsiderueshme monetare në valutë dhe lekë. Më konkretisht janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës:
– 39,155 euro;
– 1,857.000 lekë,;
– 2370 Paud;
– 75 dollarë; dhe
– 10 franga.

Nga ana e Prokurorisë pas arrestimit të këtij shtetasi si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 248 dhe 259 pg.1, i K. Penal, u kërkua caktimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me vendimin e datës 03.11.2025 vendosi vleftësimin e ligjshëm të arrestimit dhe caktimit i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco