Fier/ Gjykata vendos 'arrest në shtëpi' për mjekun imazherist

Fier/ Gjykata vendos 'arrest në shtëpi' për mjekun imazherist

15:09, 03/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për mjekun imazherist të Spitalit Rajonal Fier, Gëzim Taullai, i cili dy ditë më parë u arrestua në kushtet e flagrancës.

Mjeku Taullai nuk u paraqit në seancën e masës së sigurisë për arsye shëndetësore, ndërsa në sallë ishin të pranishëm avokatët e tij mbrojtës, Xhevair Morina dhe Gjergji Habilaj. Prokurori Leonard Suçi paraqiti pretencën dhe provat, ndërkohë që pala e mbrojtjes kërkoi një masë më të lehtë sigurie për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore të mjekut.

Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Aurora Tusha vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Taullain.

Mjeku Gëzim Taullai, 66 vjeç, banues në Fier, akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Hetimi, që zgjati katër muaj, u finalizua me arrestimin e tij në flagrancë, pasi u kap duke marrë një shumë parash nga një pacient që do të kryente një eko abdominale.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjetën dhe sekuestruan 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë, ndërkohë që mjeku akuzohet gjithashtu se gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në dy klinika private në qytetin e Fierit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco