Policia Kufitare ka proceduar penalisht një 31-vjeçar nga Berati, i cili tentoi të nxirrte nga Shqipëria 13,200 euro pa i deklaruar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në dalje të vendit, specialistët e Policisë Kufitare në Gjirokastër gjetën shumën e parave në çantën e shtetasit H. J., të cilat ky nuk i kishte deklaruar sipas ligjit. Materialet procedurale u referuan në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Shuma e sekuestruar prej 13,200 eurosh u mor në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohet shuma e parave.
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit H. J., ku u gjetën 13 200 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin H. J., 31 vjeç, banues në Berat. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net