SYRI TV/ Vrasja e gjyqtarit Kalaja në sallën e gjyqit, xhaxha e nip kërkojnë falje publike! Gjykata i lë në burg

15:54, 09/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Arrest në burg ka caktuar gjykata e Tiranës për Elvis Shkambin, xhaxhain e tij Gjon Shkambi dhe punonjësin e sigurisë në Gjykatën e Aperlit të Tiranës Banush Koxhajn, lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve. Autori i vrasjes Elvis Shkambi kërkoi ndjesë familjarëve të të ndjerit Kalaja dhe të të plagosurve, duke pretenduar se ndodhi në një moment të tronditjes së fortë psikologjike pas vendimit kundër tij, për shkak të kalvarit disa vjeçar gjyqësor për pronën. Gjon Shkambi mohoi të kishte bashkëpunuar në krim apo nxitur nipin e tij, ndërsa punonjësi i sigurisë që akuzohet për shpërdorim detyre, tha se një orë para ngjarjes, i kërkoi kancelarit ta zëvendësonte për shkak se ishte sëmurë, por nuk e zëvendësuan. Avokati Kujtim Ibra iu përgjigj mediave se si përfundoi arma në duart e autorit teksa apeloi të vihet dorë në çështjet civile dhe administrative që zvarrisin me vite të tëra qytetarët.

Nga SYRI TV

Burg pa afat caktoi Gjykata e Tiranës për Elvis Shkambin, xhaxhain e tij Gjon Shkambin dhe punonjësin e sigurisë Banush Koxhaj që u arrestuan pas vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit në Apel Astrit Kalaja. 

Nën masa të rrepta sigurie, seanca nisi që në 8 të mëngjesit, ku treshja doli para gjyqtares Marinela Osmani dhe kryeprokurorit të Tiranës Arenc Çela. Elvis Shkambi e nisi fjalën e tij me një ndjesë publike drejtuar familjes ë gjyqtarit të ndjerë dhe të plagosurve Rakip e Ervis Kurtaj. Më tej ai ka pretenduar se e kreu veprimin në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike pasi gjyqtari vendosi kundër tij, duke shtuar se ka kaluar një kalvarë të gjatë gjyqësor për të fituar pronën që u bë mollë sherri.

 “Kërkoj ndjesë publike familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe të plagosurve. Nuk doja ta kryeja vrasje, ishe në gjendje të tronditur psikologjike në momentin kur dëgjova vendimin. Kam kaluar nëpër një kalvar gjyqësor për pronën” tha Shkambi.

Avokati i tij Kujtim Ibra, deklaroi për mediat, se familja Shkambi ka vuajtur shumë dhe kë hyrë në borxhe pikërisht për pronën që po gjykohej, por shtoi se kjo gjë, nuk e justifikon aspak veprimin kriminal të klientit të tij. 

Më tej avokati iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, lidhur me faktin që nëse ngjarja ka qenë spontane, pse i mbrojturi prej tij hyri i armatosur në gjykatës dhe si u sigurua arma e zjarrit.

Gjon Shkambi që sipas prokurorisë nxiti veprimin ekstrem të nipit dhe akuzohet për bashkëpunim në vrasje, mohoi të kishte dijeni. Ai ka deklaruar në gjyq se pas vendimit ishte nisur për të dalë nga salla kur dëgjoi krismat, ndërkohë që Prokuroria thotë se Shkambi ndodhej aty dhe nuk kryen asnjë veprim parandalues.

Për më tepër tha organi hetues, Gjon Shkambi ka nxitur dhunën përmes kërcënimeve publike në media dhe ndaj qytetarëve që pretendon se i kanë uzurpuar pronën. Nga ana tjetër, punonjësi i sigurisë në Gjykatën e Apelit Banush Koxhaj, që akuzohet për shpërdorim detyre, than ë Gjykatë që në momentin kur ndodhi ngjarja, ai në fakt nuk do duhej të ndodhej aty.

“Vuaj nga diabeti, kam probleme edhe me shikimin për shkak të sëmundjes, marr ilaçe. Një orë para se palët të futeshin në këtë gjyq, kam kontaktuar kancelarin e gjykatës dhe i kam kërkuar të më zëvendësonte pasi nuk ndjehesha mirë, por pavarësisht kësaj, kam vijuar të qëndroj në punë. Nuk kam qenë i mundur dhe nuk e kam para me imtësi momentin e hyrjes së palëve”


Elvis Shkambi akuzohet për “Vrasje e fuksionarëve publik”, “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese”, kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentative dhe  “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Xhaxhai i tij akuzohet për “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë ndërsa punonjësi i sigurisë për shpërdorim detyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco