Avokati Besart Logu është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku do të zhvillohet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Logu është ndjekur me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm”.
Seanca nisi në orën 11:00, dhe gjykata sapo ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj avokatit.
Në seancë, Logu kërkoi një masë më të butë, duke argumentuar se është babai i dy fëmijëve të mitur, nuk rrezikon prishjen e provave të mbledhura më parë dhe nuk ka qëllim shmangien e drejtësisë. Kërkesa e tij nuk u pranua nga gjykata.
Avokati ka deklaruar dje se nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se do të vërtetojë pafajësinë e tij.
SPAK pretendon se Logu ka marrë 8 mijë euro nga një shtetas italian me premtimin se do të ndikonte tek vendimmarrja e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Hetimi ndaj tij vijon, ndërsa SPAK dhe BKH po kryejnë kontrolle dhe verifikime të dokumenteve dhe elementëve të tjerë të hetimit.
© SYRI.net