Ilir Llapushi, shefi i shërbimit zjarrfikës në Gramsh, në një lidhje Skype me emisionin “Kafe Shqeto”, ka rrëfyer për situatën e vështirë dhe të jashtëzakonshme me të cilën janë përballur forcat zjarrfikëse në përpjekje për të shuar vatrat e shumta të zjarrit që përfshinë zonën e Gramozit dhe fshatrat përreth.
Sipas tij, në kulmin e emergjencës ishin aktive katër vatra të mëdha zjarri njëkohësisht, të gjitha pranë zonave të banuara, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e banorëve dhe shtëpitë e tyre.
Llapushi tha se falë reagimit në kohë dhe bashkëpunimit me komunitetin, nuk pati humbje jete, por dëmet materiale janë të konsiderueshme mbi 40 shtëpi të djegura dhe shumë sipërfaqe të mbjella të shkrumbuara.
Llapushi shpjegoi se shërbimi zjarrfikës ishte i shpërndarë në disa fronte dhe se përballja me flakët ishte tejet e vështirë për shkak të terrenit malor dhe pishave të larta që pengonin depërtimin e ujit.
Ai shtoi se helikopterët, pas disa orësh ndërhyrjeje, u tërhoqën për shkak të vështirësive teknike dhe kushteve të vështira të erërave.
Ilir Llapushi:
"Zjarri, siç e dimë të gjithë, nuk lë asgjë mbrapa, lë vetëm hi. Fatmirësisht në Gramsh nuk patëm dëme në njerëz, që është gjëja më e rëndësishme, dhe e dyta dëme materiale si shtëpi apo të mbjella ka shumë, janë mbi 40 shtëpi të djegura.
Zjarre të tilla nuk mund t’i përballojë dot asnjë shtet i BE-së, sepse u ndodhën 4 vatra të mëdha, të 4 ishin pranë fshatrave ku rrezikoheshin shtëpitë, dhe ne u munduam në mënyrën maksimale për t’i menaxhuar ato.
Atë ditë në mëngjes ne po luftonim me flakët në dy fshatra, me dy grupe që punonin për t’i mbrojtur, së bashku me fshatarët që na ishin bashkuar për të ndihmuar.
Pishat shumë të larta që ishin në atë vend nuk e lejonin depërtimin e ujit dhe, pas shumë orë luftimesh, edhe helikopterët u tërhoqën.
Ne u lajmëruam nga kryetari i bashkisë atë ditë dhe më tha se duhet të niseshim për në Skënderbegas, pasi zjarri i shpërthyer po rrezikonte jetën e njerëzve.
Ndërkohë që niseshim për atje, duke zbritur nga Liqeni i Zambakëve, dal në një fshat tjetër dhe shoh zjarr edhe aty e gjithë zona në flakë. Një zjarr i madh e masiv që ishte i tmerrshëm.
Çdo shërbim zjarrfikës mban një zjarrfikëse që rri gati për zjarret që ndodhin në qytet, dhe atë ditë unë kisha dy me vete, fatmirësisht.
Nisa zjarrfikësen për atje, por zjarri ishte i shpejtë, e kur ne shkuam në Bletëz, aty banorët luftonin me flakët. U pre pjesa e zjarrit ku u ndeshëm në fillim, por nga erërat, zjarri rindezej sërish".
© SYRI.net