Një i ri ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Artur Marku.
Finalizohet operacioni "By pass", për goditjen e kalimit të paligjshëm të kufirit. Arrestohet në flagrancë 28-vjeçari Artur Marku., banues në Tiranë, i cili po transportonte 4 emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi, për një shumë prej 1500 eurosh për person. Shtetasi, i dënuar më parë për vjedhje, drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Emigrantët, të cilët kishin hyrë në Shqipëri ilegalisht, janë proceduar në gjendje të lirë për kalim të paligjshëm të kufirit. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “By pass”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit monetar, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohet në flagrancë një 28-vjeçar që u kap duke transportuar 4 emigrantë, të cilët kundrejt pagesës 1500 euro për person, synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Malin e Zi. Procedohen në gjendje të lirë emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm nga Gjirokastra drejt Shkodrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “By pass”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Në afërsi të rrethrrotullimit “5 Heronjtë e Vigut”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 28-vjeçarin duke drejtuar, pa leje drejtimi, një automjet tip “Audi”, me të cilin po transportonte 4 emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se 28-vjeçari i arrestuar iu kishte premtuar transportimin nga Gjirokastra në drejtim të kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës 1500 euro për person, 4 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri. Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 4 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.\
© SYRI.net