Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Korçës, ku trupi i dekompozuar i Petro Seferit u gjet ditën e djeshme në banesën e tij në lagjen 4, plot 8 muaj pas vdekjes. Askush nuk e kishte kërkuar. As familjarë, as shteti. Ishte vetëm, i sëmurë dhe i varfër. Shoku i fëmijërisë së tij, Admir Sulejmani, rrëfen mes dhimbjes dhe zemërimit dramën e një njeriu që u harrua për së gjalli nga të gjithë, një jetë në varfëri, pa përkrahje, dhe pa askënd në ditët e fundit.
‘E gjetën kockë e lëkurë…’, thotë ai. ‘Nuk kishte as për bukë, e la gruaja, fëmijët nuk i pamë kurrë. Ky vend s’ka shtet!...’
Rrëfimi i Admir Sulejmanit: Po, jam rritur me të. Nga varfëria vdiq Petrika. Shteti nuk e trajtonte; vetëm kohët e fundit i dhanë kemp. Ishte i sëmurë, me tension dhe me zemër. Nuk kishte mundësi financiare. Gruaja i kishte ikur me gjithë fëmijët. Fëmijët nuk i pamë ndonjëherë t’i vinin. Ai vinte këtu dhe rrinte me ne, ja ku e ka shtëpinë. Kam kohë që nuk e kemi parë. Ne menduam se ishte jashtë shtetit, mos e kishin marrë fëmijët ose i vëllai.
Dilte deri këtu lart, se nuk kishte më fuqi, kishte rënë. Nuk kishte mundësi për asgjë. Këtu nuk ka shtet. Komuna marrin rrogën, nuk pyesin, nuk interesohen për njerëzit, sidomos kur nuk tërhiqte kempin. Nuk i dilte asnjë lek, asgjë. Vetëm kohët e fundit mori kemp.
Edhe për të folur mezi fliste, nuk i shqiptonte dot fjalët. Ishte i sëmurë, s’kishte mundësi. I ati kishte vdekur, edhe e ëma. Gruaja i iku me fëmijët. I vëllai nuk është parë më. Me fëmijët nuk fliste, ishte i mbyllur, nuk i kuptoje fjalët. Nga të gjithë ishte ndarë, asnjë nuk i shkonte. Kishte mbetur i vetmuar.
Ka edhe një motër, por nuk e dimë ku është. Njerëz ka plot, se ishte nipi i Rita Markos. Ka njerëz me pozita. E ka vilën pas ai. Nuk ishte familje e thjeshtë, por e ngritur.
I varfër, iku pa njeri. E gjetën kockë e lëkurë. Nuk e dimë çfarë u bë me të. Nuk e nxirrnin dot nga brenda. Kishte 8 muaj i vdekur. Ne nuk e pamë ndonjëherë me telefon. Ishte shumë i varfër.
© SYRI.net