VIDEO-EMRI/ Kapet i shumëkërkuari për tentativë vrasje, në pranga edhe bashkëpunëtori

11:43, 30/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Danger”, duke arrestuar një 30-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Në pranga ka rënë edhe një tjetër person që dyshohet se e ndihmoi të fshihej.

Operacioni është zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas një pune të mirëorganizuar hetimore dhe informacioneve të marra në rrugë operative. Arrestimi ndodhi në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”.

I arrestuari, shtetasi Kidi Kazazi, 30 vjeç, banues në Kavajë, ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Durrësit, e cila kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Sipas hetimeve, më 30 maj 2025, në zonën e Fllakës, për motive të dobëta, ai ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti ku ndodheshin tre persona.

Gjatë operacionit, në pranga u vu edhe F. K., 31 vjeç, i cili ndodhej në automjet së bashku me 30-vjeçarin. Nga hetimet paraprake rezulton se ai ka ndihmuar autorin e dyshuar të fshihej dhe të shmangte kapjen nga autoritetet.

Gjatë ndalimit, Kidi Kazazi ka tentuar të mashtrojë policinë duke paraqitur dy dokumente identifikimi të falsifikuara, një kartë ID dhe një leje drejtimi me të dhënat e një shtetasi tjetër. Ndërsa gjatë kontrollit fizik, tek 31-vjeçari u gjet një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua nga policia.

Materialet iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërkohë që 30-vjeçari është dërguar në Drejtori Vendore e Policisë Durrës për vijimin e procedurave ligjore.

Operacioni "Danger" është dëshmi e angazhimit të strukturave të rendit për të goditur krimin dhe për të vënë para drejtësisë personat e rrezikshëm që sfidojnë ligjin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco