Policia arrestoi tifozët e indinjuar, por s'kapi huliganët polakë që përdhosën bustin e Skënderbeut në mes të Tiranës

Policia arrestoi tifozët e indinjuar, por s'kapi huliganët polakë që përdhosën bustin e Skënderbeut në mes të Tiranës

14:22, 29/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeqyteti shqiptar ka parë një mbrëmje jo të qetë në orët e vona të së enjtes, fill pas ndeshjes Dinamo 1-1 Jagiellonia, e vlefshme për play-off e Conference League.

Polakët, në një numër të konsiderueshëm në udhëtimin në Tiranë, kanë nisur provokimet që pasditen e djeshme, me të mbërritur në kryeqytetin tonë. Në pamjet e shpërndara në rrjet, ata shihen të bëjnë gjeste të pahijshme në bustin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në qendër të Tiranës.

Pas ndeshjes, një grup me tifozët e Dinamos duket se është ‘hakmarrë’. Në video duket qartë se shqiptarët janë përleshur me njërin prej polakëve që bënte gjeste të pahijshme.

Një numër i madh i forcave të policisë ka ndërhyrë, duke qetësuar situatën. Paçka se tifozët nga Polonia u nisën me autobusa në stadium fill pas ndeshjes dhe u shoqëruan nga policia, incidentet nuk munguan as rrugës për në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas.

Shqiptarët ishin në rrugë dhe sulmuan me flakadanë autobusët që mbanin tifozët e Jagiellonias. Gjithçka lidhet me thirrjet e tyre ‘vritini shqiptarët’, apo edhe me banerin që shpeshherë shpalosin në stadium ‘Kosova është Serbi’.

Kulmi ishte përdhosja e heroit tonë kombëtar në zemër të Tiranës, me incidentet që nuk munguan në orët e vona të së enjtes.

Ndërkaq policia me një njoftim për shtyp thotë se ka arrestuar 3 tifozë shqiptarë dhe dy të tjerë po i heton në gjendje të lirë.

Ndërkaq, ajo që bie në sy është fakti se policia nuk është në gjendje të identifikojë dhe arrestojë asnjërin prej huliganëve polakë që përdhosën në mes të ditës bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në mes të Tiranës. /OraNews/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco