Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 26.5 milionë euro të shtetasit Kristian Koni alias Olsi Meta. I dënuar me burg në Itali si pjesë e një grupi kriminal, që akuzohej për vrasje e trafik droge, kishte arritur të krijonte një perandori pasurie me dyshimet nga aktiviteti kriminal.
Syri tv
Prokuroria e Tiranës njoftoi sekuestrimin e pasurive me vlerë 26 milion e 500 mijë euro të një trafikanti droge që ishte dënuar për llogari të autoriteteve italiane. Kristian Koni alias Olsi Meta çuditërisht që nga 2007 deri në 2012 u akuzua se trafikoi sasi të mëdha droge në Itali, ndonëse precedentit si i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ushtronte lirshëm aktivitet tregtar dhe në biznes, duke vënë pasuri marramendëse në emër të tij dhe familjarëve.
Mes pasurive të sekuestruara janë, 19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, përfshirë nënën e tij në pension, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro. Pasuritë e Konit janë regjistruar kryesisht në fushën imobilare, duke ngritur dyshime se bëhet fjalë për një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave, edhe përmes ndërtimit, dhe nëse këto vlera janë të tijat apo të ndonjë rrjeti kriminal ndërkombëtar të cilat Koni I investonte, organi hetues tregohet i rezervuar.
Në vitin 2021, Kristian Koni, krijoi firmë Kriol.al me objekt eksportin e automjeteve, shit-blerje të pasurive të paluajtshme dhe reklamim për kompanitë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e internetit, si dhe merret me internet, televizion, konsulenca menaxheriale tregti dhe pjesëmarrje në kuota deri tek lejet e transportit, shitje tekstilesh, mallra industriale, shitje pajisjesh elektrike etj. Vetë termat e mësipërm krijojnë dyshime sa i takon aktivitetit real të shoqërisë, pasi ekzistojnë sektorë pas asnjë lidhje me njëri-tjetrin, e për më tepër, nga të dhënat në qendrën e kërkimit dhe regjistrimit, xhirot kapin vlera në qindra mijëra euro. Gjatë vitit të kaluar Kriol.al doli me një fitim prej 12 mijë eurosh, ndërkohë që xhiro e deklaruar është në vlerën e 500 mijë eurove. Me emrin e të njëjtit person rezulton e regjistruar një tjetër kompani në vitin 2023 me objekt dhënie apartamenti me qera, konsulencë marketing dhe broker me emrin Azul Rooms.

© SYRI.net