Tuneli i Llogarasë është bllokuar ditën e sotme, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe pritje të gjata për mijëra pushues që lëvizin drejt ose nga bregdeti i jugut.
Sipas raportimeve nga terreni, mjetet janë ndalur përpara hyrjes së tunelit pa asnjë njoftim zyrtar dhe në mungesë të plotë të forcave të rendit apo punonjësve përgjegjës për menaxhimin e trafikut.
Situata ka shkaktuar irritim të madh mes drejtuesve të automjeteve, shumë prej të cilëve janë familjarë me fëmijë të vegjël që kanë mbetur për orë të tëra në temperatura të larta, pa asnjë informacion se për çfarë bëhet fjalë apo kur do të rifillojë qarkullimi.
Kujtojmë që Tuneli i Llogarasë, është hapur për qarkullim në maj të këtij viti dhe pritet të qëndrojë pa pagesë deri më 15 shtator. Megjithatë, bllokimi i papritur i sotëm dhe mungesa e komunikimit me qytetarët ka ngritur shqetësime për mënyrën si menaxhohet qarkullimi në këtë nyje të rëndësishme rrugore.
Nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet për arsyet e bllokimit.
© SYRI.net