Por kush është Dorian Beu? Të martën GJKKO vendosi arrest në burg ndaj tij si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndër më të fortit në Itali që trafikonin kokainë. Ai u kap gjatë pelegrinazhit në Malin e Shenjtë të Tomorrit, ndërsa emri i tij radhitej që prej 2019 në krye të listës së personave që dominojnë trafikun e drogës në Itali, por jo vetëm. Pavarësisht se në kërkim ndërkombëtar, ai futet i patrazuar në Shqipëri, madje bën edhe biznes. Nga një vëzhgim i thjeshtë, rezulton së bashku me Gjergj Lucën, aksioner i kompanisë që menaxhon portin e Peshkimit në Durrës.
Dorian Beu u arrestua më 25 gusht gjatë pelegrinazheve në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Dy ditë më pas doli para togave të zeza të GJKKO-së ku u njoh me masën e sigurisë arrest në burg në mungesë, masë që iu la në fuqi pavarësisht pretendimeve të tij, se për të njëjtën çështje po hetohej i lirë në shtetin italian. Prej dhjetorit të 2023 Beu është subjekt i SPAK dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, por pavarësisht kësaj, hyri në territorin e Shqipërisë i patrazuar, madje vijoi biznesin, në ortakëri me një tjetër biznesmen me mjaft dritëhije, Gjergj Lucën. Emri i tyre rezulton në këtë regjistër tregtar si aksioner me 10% secili pranë subjektit me emër “Organizata e Menaxhimit të Portit të Peshkimit Durrës” Shpk, kompania e cila menaxhon Portin e Peshkimit në Durrës.
Pra, siç shihet, me këtë ndërmarrje me shumë impakt në Portin e Durrësit, duket se edhe kalimet përmes detit, qoftë edhe duke qenë në kërkim ndërkombëtar, mund të realizohen pa pengesa. Dorian Beu, thotë SPAK, ishte pjesë e grupit kriminal të përbërë prej 18 personash që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri me qëllim tregtimin e qindra kg lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë, nga viti 2015 e në vijim. Në dhjetor 2023, GJKKO caktoi masën e sigurisë 'arrest me burg' për anëtarët e këtij grupi të drejtuar nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, pjesë e të cilit ishte edhe Dorian Beu. SPAK thoshte se veprimtaria kriminale e këtij grupi në Shqipëri zhvillohej kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, Breshia, Milano, Torino etj.
Në 2023, me vendimin e GJKKO, u vunë në sekuestro 1 mln euro pasuri në Durrës, të përfituara nga paratë e ardhura nga krimi, në emër të Braniol Liço, Gernard Beu dhe Emirjan Beu. Emirjan Beu është vëllai i Florida Beut, e cila zbuloi korrupsionin e ish-zëvendësministres së Brendshme Rovena Voda. Kjo e fundit, sipas SPAK, i premtoi punë në ministri avokates Florida Beut në këmbim të 2 mijë eurove, një arke peshku dhe një telefoni.
© SYRI.net