Vendi vijon të përballet me situatë të rënduar nga zjarret, ku aktualisht janë raportuar 13 vatra, prej të cilave 10 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim. Flakët kanë përfshirë disa bashki në veri, qendër dhe jug të Shqipërisë, duke angazhuar efektivë zjarrfikës, forca ushtarake, bashkiake, vullnetarë dhe mjete ajrore për shuarjen e tyre.
Në Bulqizë, situata paraqitet më problematike me dy vatra të fuqishme. Në fshatin Tërnovë, flakët po përhapen në kurorë pyjore të dendura, me rrezik drejt fshatit Valikardhë, ndërkohë që në Malin me Gropa, pranë fshatit Val, digjen shkurre dhe barishte në një terren të vështirë.
Në Fushë Arrëz, në fshatin Xeth, zjarri vijon të jetë aktiv me tre vatra të ndara, duke rrezikuar pisha të dendura në zonën e Kunorë Dardhës. Forcat ajrore dhe tokësore janë angazhuar masivisht në operacion.
Në Mirditë, flakët kanë përfshirë një masiv me pisha në fshatin Velë, ku terreni i thepisur e bën ndërhyrjen shumë të vështirë.
Në Tiranë, regjistrohen disa vatra. Në Malin e Bërzhitës, zjarri është përhapur deri në fshatin Durisht, ndërsa në Vaqarr flakët janë vendosur nën kontroll. Situata mbetet aktive edhe në Ferraj, Zall-Herr dhe Priskë të Vogël, si dhe në zonën Zgure në Zall Bastar, ku zjarri monitorohet nga forcat zjarrfikëse. Në Pezë-Helmës, flakët kanë marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar pyllin me pisha të dendura.
Në Kolonjë, në Parkun Natyror të Gërmenjit, zjarri është neutralizuar, por ka pasur riaktivizime të vogla.
Në Gramsh, flakët janë rikthyer në disa fshatra, përfshirë Kullollas, Kodovjat, Ermenj dhe Teqen e Dushkut, ku ndërhyrja vijon me mjete zjarrfikëse dhe banorë vullnetarë.
Në Elbasan, vatra në Malin e Shirokës, njësia Zavalinë, vijon të jetë aktive, me forcat zjarrfikëse dhe pyjore në terren.
Në orët në vazhdim priten sërish zhvillime sa i takon situatës në vend.
© SYRI.net