Vijon bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, është finalizuar me sukses ekstradimi nga Italia në Shqipëri i shtetasit E. C., alias E. Gj., 32 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në prill të vitit 2025, e cila caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ekstradimi u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, duke përforcuar më tej angazhimin për luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të lidhura me funksionarë publikë.
Pas mbërritjes në Shqipëri dhe përfundimit të procedurave në Komisariatin e Policisë Rinas, 32-vjeçari iu dorëzua Drejtoria së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vuajë masën e sigurisë të vendosur nga gjykata.
Autoritetet shqiptare riafirmojnë angazhimin për ndjekjen e të gjithë personave që i shmangen drejtësisë, brenda dhe jashtë territorit të vendit.
© SYRI.net