Juxhin Drazhi është vënë në pranga në Granada, Spanjë nga agjentët e Guardia Civil. Ai u ndalua në qytetin bregdetar të Almuñécar, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar si i përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Operacioni, i koduar ‘Entresijos’, nisi pas hetimeve të shërbimeve të inteligjencës, të cilat vunë re lëvizje të dyshimta në një vilë luksoze të izoluar, ku anëtarët e një organizate kriminale kishin vendosur masa të rrepta sigurie. Pas vëzhgimeve të shumta, u konfirmua se në këtë rezidencë fshihej një nga drejtuesit kryesorë të grupit.
I arratisuri nuk dilte kurrë nga banesa dhe shërbehej vetëm nga bashkëpunëtorët e tij, për të shmangur çdo kontakt me autoritetet. Vila ndodhej në një pozicion të ngritur gjeografikisht, që i lejonte të kontrollonte mjedisin përreth dhe të monitoronte lëvizjet e mundshme të policisë.
Sipas Guardia Civil, i dyshuari kishte edhe truproja të armatosur dhe besohej se mbante armë zjarri, çka e bënte operacionin e arrestimit me rrezik të lartë për përplasje të armatosur.
Më 22 korrik, Guardia Civil organizoi një operacion të përbashkët me njësi speciale të Policisë Gjyqësore dhe Grupit të Veprimit të Shpejtë (GAR), me mbështetjen e njësisë kinologjike nga Komanda e Malagës.
Pasi kuptoi praninë e forcave të rendit, i dyshuari tentoi të arratisej në këmbë nëpër shpatin e malit, por u kap nga efektivët që kishin rrethuar zonën.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti dokumente të falsifikuara (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shoferi), të cilat i shërbenin për të përdorur identitete të rreme. U sekuestruan gjithashtu sende luksoze, përfshirë një orë me vlerë të lartë.
Në zonën ku u përpoq të arratisej, u gjet një armë zjarri me dy karikatorë, 13 fishekë dhe një silenciator.
Hetimet ndaj rrjetit kriminal vijojnë në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare.
© SYRI.net