Një 28-vjeçar nga Shkodra është arrestuar në zonën e Alliasit në Tiranë si rezultat i operacionit policor të koduar “Black Market”, të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.
I arrestuari, shtetasi Aleksandër Matoja, banues në Shkodër dhe me precedent penal për prodhim dhe shitje narkotikësh, dyshohet se është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ai u kap në flagrancë teksa transportonte dy armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste personave të përfshirë në krime kundër jetës dhe pronës.
Armatimi u sekuestrua gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ai lëvizte në Allias, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara të Policisë së Tiranës për kapjen e personave që lëvizin të armatosur dhe përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë publike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. Hetimet vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët dhe destinacionin final të armëve të sekuestruara.
© SYRI.net