Një akt tronditës dhune ka goditur zonën malore të Llogarasë, ku 22 kuaj të lirë janë qëlluar me armë gjahu (çifte), në një masakër që ka shkaktuar reagime të forta publike dhe zemërim të madh në opinion. Katër kuaj kanë ngordhur në vend nga plagët, ndërsa të tjerët janë shpërndarë në pyll – disa të plagosur rëndë dhe të tjerë ende të humbur, në nevojë për ndërhyrje urgjente veterinare.
Paraprakisht dyshohet se kjo ngjarje ka ndodhur për shkak të konkurrencës ose ndonjë konflikti mes pronarëve që ofrojnë guida me kuaj në zonë, aktivitet i cili është rritur ndjeshëm me fluksin turistik të viteve të fundit. Burime lokale tregojnë për tensione të përsëritura mes operatorëve turistikë që përdorin kuajt për të ofruar shërbime në zonat malore.
Pjesa më e madhe e tufës së kuajve qëndrojnë të lirë në Llogara dhe përbëjnë një atraksion të veçantë për turistët që vizitojnë këtë zonë të mbrojtur natyrore. Sulmi ndaj tyre shihet jo vetëm si dhunë ndaj kafshëve, por edhe si kërcënim ndaj turizmit dhe jetës së egër në këtë park të rëndësishëm malor.
Pamjet nga vendngjarja janë të rënda dhe dëshmojnë qartë për qëllim të drejtpërdrejtë e të dhunshëm. Aktivistët për të drejtat e kafshëve, si dhe komuniteti lokal, kërkojnë hetim të thelluar, ndëshkim të autorëve dhe vendosjen e masave ligjore për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.
© SYRI.net