Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në zonën malore të Llogarasë, ku 22 kuaj të lirë janë qëlluar me armë gjahu, në një akt barbar që ka shkaktuar indinjatë të madhe në publik. Sipas denoncimeve të pronarëve dhe aktivistëve, katër kuaj kanë ngordhur menjëherë nga plagët e marra, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër pyll – disa të plagosur, e disa në gjendje të rëndë që kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Gropat e Pirit, në kufi mes Dukatit dhe Llogarasë, dhe dyshohet se autorët janë persona që përdorin armë gjahu, ndoshta gjuetarë, të cilët kanë vepruar në mënyrë të paligjshme. Pronarët e kuajve, ende të tronditur, nuk kanë mundur t’i lokalizojnë të gjithë kafshët, pasi shumë prej tyre ndodhen në panik dhe janë fshehur në terrenin e thyer malor.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë qartë brutalitetin me të cilin është ushtruar dhuna ndaj tufës së kuajve që endeshin të lirë në natyrë, në një nga zonat më të bukura dhe të frekuentuara turistike të vendit. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje edhe raste të tjera të dhunës ndaj kafshëve në këtë zonë, duke ngritur alarmin për nevojën e një reagimi të menjëhershëm institucional.
Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve dhe banorët e zonës i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe Ministrisë së Mjedisit të ndërhyjnë menjëherë për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët, si dhe për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla të dhunshme. Ata theksojnë se mungesa e kontrolleve dhe e ndëshkimeve po e kthen këtë zonë në një territor të rrezikshëm për kafshët dhe jetën e egër.
Kjo ngjarje ka rihapur debatin mbi mbrojtjen ligjore të kafshëve të lira në Shqipëri, mungesën e një regjimi të kontrolluar të përdorimit të armëve të gjahut në zonat e mbrojtura dhe nevojën për një qasje më të ashpër nga shteti në mbrojtje të faunës së egër dhe kafshëve të pambrojtura.

© SYRI.net