Shpërndante kokainë në lagje dhe në plazh, në pranga 43-vjeçari në Durrës

Shpërndante kokainë në lagje dhe në plazh, në pranga 43-vjeçari në Durrës

10:11, 08/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një aktivitet kriminal për shpërndarjen e kokainës në qytetin e Durrësit është goditur nga Policia gjatë një operacioni të koduar “Il Punto”. Në pranga ka rënë shtetasi Jorgent Dhima, 43 vjeç, i cili u kap në flagrancë brenda automjetit të tij, ndërsa transportonte doza të gatshme kokaine.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Durrës. Ai u kap në lagjen nr. 18, ndërsa kontrolli i automjetit zbuloi sasi të ndara lënde narkotike, të dyshuara si kokainë, gati për shitje.

Pas arrestimit, hetimet vijuan në banesën e të dyshuarit në lagjen nr. 7, ku u gjet dhe sekuestrua edhe një sasi tjetër kokaine e futur në disa qese plastike, së bashku me një peshore elektronike që përdorej për ndarjen e drogës në doza.

Në total, Policia sekuestroi 250 gramë kokainë, disa doza të ndara, tre aparate celularë dhe automjetin që i shërbente 43-vjeçarit për shpërndarjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë edhe zonën e plazhit.

Njoftimi i Policisë:

Durrës/Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e shpërndarjes së kokainës

Operacioni i koduar “Il Punto”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Durrës.

Shpërndante kokainë në lagje të ndryshme të Durrësit, si dhe në zonën e plazhit; vihet në pranga 43-vjeçari.

Sekuestrohen 250 gramë kokainë, doza me lëndë narkotike kokainë, 3 aparate celularë dhe automjeti që përdorte 43-vjeçari për të shpërndarë lëndën narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që shpërndante kokainë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “Il Punto”.

Operacioni u zhvillua në lagjen nr. 18, Durrës, ku si rezultat u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi J. Dh., 43 vjeç, banues në lagjen 7, Durrës.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një sasi tjetër lënde narkotike të dyshuar kokainë, e futur në disa qese, si dhe një peshore elektronike, me peshë totale 250 gramë, që shërbente për peshimin e lëndës narkotike në doza.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco