Pas një seance maratonë, Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka vendosur të lërë në burg ish-administratorin dhe administratorin aktual të Bankers Petroleum. Kërkesa e Leonidha Çobos dhe Hongping Xiaos për një masë më të lehtë është rrëzuar nga gjykata. Gjithashtu janë konfirmuar masat për 7 persona të tjerë, ndërkohë që për një është ndryshuar për shkak të kushteve të tyre familjare. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se Bankers ka shmangur detyrimet dhe taksat ndaj shtetit shqiptar dhe i ka shkaktuar një dëm prej 244 milionë lekësh.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka konfirmuar vendimin për masën “arrest me burg” ndaj ish-administratorit të “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, dhe administratorit aktual, shtetasit kinez Hongping Xiao. Masa u dha këtë të martë, ndërsa në seancë ishin prezent edhe përfaqësues të ambasadës kineze në Tiranë. Të arrestuarit kishin apeluar masat e sigurisë që kishte vendosur më parë Gjykata e Fierit, por Apeli rrëzoi kërkesat e tyre dhe mbështeti qëndrimin e Prokurorisë.
Megjithatë, për disa zyrtarë të tjerë të përfshirë në hetime, Gjykata e Apelit vendosi të lehtësojë qëndrimet e organit të akuzës duke ia ndryshuar masat. Nga pesë persona me masën “arrest shtëpie”, vetëm njëri mori lehtësimin duke iu zëvendësuar masa me “detyrim paraqitjeje”, për shkak të situatës familjare, pasi një prej tyre është prind i një fëmije 2-vjeçar. Ndërkohë, për tre të tjerë u hoq kufizimi për të dalë jashtë vendit, duke mbajtur në fuqi vetëm detyrimin për t’u paraqitur në polici gjyqësore.
Në total, dhjetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë ndodhen nën hetim për një sërë veprash penale, të lidhura me një skemë të dyshuar mashtrimi financiar që ka dëmtuar buxhetin e shtetit. Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë ngritur një skemë të sofistikuar për shmangien e detyrimeve tatimore, përfitime këto të paligjshme që kapin miliona euro. Fitimet e padeklaruara dyshohet se janë pastruar më pas përmes mekanizmave të pastrimit të parave.
Nga hetimet ka rezultuar se kompania Bankers i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 244 milionë lekësh të reja, nëpërmjet faturave tatimore fiktive dhe shmangies së detyrimeve ndaj shtetit. Deri në këto momente dosja për Bankers është hetuar nga Prokuroria e Fierit, megjithatë ngelet për t’u parë nëse Gjykata e këtij rrethi do ia kalojë çështjen për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme apo do ta lërë dosjen sërish në Fier. Disa ditë pas operacionit, kompania në një deklaratë për mediat u shpreh se ishte e gatshme të bashkëpunonte me institucionet dhe rënditi disa nga kontributet që, sipas saj, ka derdhur në arkat e shtetit shqiptar.
© SYRI.net