Policia ka zbardhur dinamikën e aksidentit të rëndë që ndodhi pasditen e sotme në nënkalimin e Levanit, ku humbi jetën një person dhe u plagosën katër të tjerë.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Fierit, aksidenti ka ndodhur si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, një “Skoda Fabia” dhe një “Volkswagen Passat”.
Në mjetin “Skoda Fabia” udhëtonin viktima, Luftar Vraçja dhe bashkëshortja e tij. Viktima, shqiptar me pasaportë italiane dhe emigrant i rregullt në Itali, ishte banor i Peqinit. Bashkëshortja e tij ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Fierit.
Nga hetimet paraprake rezulton se mjeti “Skoda” po lëvizte në drejtim të Vlorës, sapo kishte kaluar nënkalimin dhe ishte futur në rrethrrotullim, kur është goditur me shpejtësi nga pas nga automjeti “Volkswagen Passat”. Ky i fundit kishte dalë nga bypass-i Mbrostar–Levan dhe po tentonte të futej në nënkalim në drejtim të autostradës Levan–Tepelenë.
Si pasojë e përplasjes së fortë, Luftar Vraçja humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur rëndë.
Në automjetin “Passat” udhëtonin tre persona nga e njëjta familje, banues në zonën e Don Boskos në Tiranë. Drejtuesi i mjetit, Ilir Pujo, dyshohet se ka pësuar infarkt pas aksidentit dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Dy pasagjerët e tjerë kanë marrë plagë, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia rrugore po vijon hetimet për përcaktimin e saktë të shkaqeve të aksidentit dhe përgjegjësive ligjore të palëve të përfshira.
© SYRI.net