Mjaftuan pak minuta shi dhe Vlora bëhet det! Rikthehen skenat e përmbytjes së tetorit 2024, qendra historike nën ujë!

18:46, 05/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një stuhi e fuqishme dhe e papritur ka kapluar qytetin e Vlorës këtë pasdite, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra të forta. Pushuesit në plazhe u detyruan të largohen me shpejtësi nga stuhia, ndërsa reshjet intensive shkaktuan përmbytje në disa akse rrugore, rrëzim pemësh dhe dëme materiale në zona të ndryshme të qytetit.

Përveç qendrës historike “Muradie”, e cila u përmbyt rëndë duke rikthyer skenat e përmbytjes së 4 tetorit të vitit të kaluar, përmbytje janë regjistruar edhe në zonat e Al Bano dhe Romina, ku uji ka mbuluar rrugët dhe ambientet përreth, duke krijuar një situatë alarmante për banorët.

Akset kryesore rrugore brenda qytetit janë bllokuar për shkak të grumbullimit masiv të ujërave, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve dhe duke krijuar kaos në disa pjesë të Vlorës.

Fatmirësisht, deri tani nuk ka raportime për persona të lënduar. 

Mjaftojnë pak minuta shi dhe pamjet e Vlorës sot janë të njëjta me ato të tetorit 2024 kur qyteti u përmbyt duke shkaktuar dëme të mëdha. Qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e Ermal Dredhës u shfajësuan duke i lënë fajin Zotit për stuhinë e papritur dhe jo mungesës dhe keqmenaxhimit të infrastrukturës. E përmbytja sërish e qytetit bregdetar në mes të sezonit turistik tregon se nuk është bërë asgjë në përmirësimin e infrastrukturës për këtë qytet dhe të gjitha kanë qenë propagandë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco