Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi kanosi me armë zjarri një 32-vjeçar. Në pranga ka rënë Ledio Matranxhi, i cili në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanosi një 32-vjeçar. Në pranga ka rënë edhe vëllai i tij, i cili dyshohet se fshehu armën pas ngjarjes.
Policia e kryeqytetit arrestoi një 27-vjeçar, pasi qarkullonte me armë zjarri, si dhe kanosi një shtetas 32-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. Në pranga ra edhe vëllai i tij, i cili dyshohet se fshehu armën pas ngjarjes. Të arrestuarit janë shtetasit Ledio dhe Ronaldo Matranxhi. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërkohë që denoncuesi me inicialet A. R. e filmoi të gjithë ngjarjen. Ka qenë vetë qytetari 32-vjeçar që u kërcënua me armë, ai i cili bëri denoncimin në polici dhe filmoi ngjarjen.
Sipas pamjeve, i dyshuari Ledio Matranxhi doli nga makina dhe shpërtheu në ofendime, duke mbajtur në dorë edhe pistoletën me të cilën e kërcënoi. Më pas u largua. Policia, pas denoncimit të marrë, u vu në lëvizje, dhe gjatë kontrollit në banesën e tij, gjeti armën e zjarrit dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Po kështu u sekuestrua edhe automjeti i 27-vjeçarit. Ndaj këtij të fundit tashmë rëndojnë akuzat për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë ndaj vëllait të tij, Ronaldo Matranxhi, 25 vjeç, rëndon akuza për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit të përdorur nga vëllai i tij, menjëherë pas ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net