Arrestohet në Vlorë Flodian Plaku, i dyshuar si vrasës me pagesë për eliminimin e Gentjan Bejtjas

Arrestohet në Vlorë Flodian Plaku, i dyshuar si vrasës me pagesë për eliminimin e Gentjan Bejtjas

17:59, 03/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Flodian Plaku, i akuzuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas, është arrestuar nga policia në qytetin e Vlorës, pas një operacioni të mirëorganizuar të zhvilluar nga forcat operacionale në bashkëpunim me efektivët lokalë. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se arrestimi vjen pas dy muajsh hetimesh intensive, që çuan në identifikimin dhe më pas lokalizimin e Plakut.

 I njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”, Plaku akuzohet si një nga tre atentatorët që morën pjesë në ekzekutimin e ish-policit Bejtja më 15 mars 2024, në Fushë-Krujë, brenda rrethimit të banesës së tij, teksa viktima ujiste perimet në kopsht në prani të familjarëve.

Sipas burimeve nga korespondentët e Syri TV, Plaku ka jetuar për një kohë të gjatë mes Greqisë dhe Italisë, ndërsa së fundmi dyshohet se ishte fshehur në Dubai. Arrestimi i tij u bë gjatë një operacioni të mirëorganizuar nga forcat e rendit, të cilat gjetën në posedim të tij edhe dy armë zjarri të tipit pistoletë.

Plaku ishte shpallur në kërkim për disa muaj, ndërsa policia vijon hetimet për të identifikuar dhe kapur edhe dy personat e tjerë të përfshirë në atentatin e rëndë që tronditi opinionin publik.

Sipas hetimeve, Flodian Plaku dyshohet të ketë qenë i angazhuar si vrasës me pagesë për ekzekutimin e viktimës. Policia nuk ka dhënë ende detaje për motivin ose porositësin e atentatit.

Për këtë ngjarje, më herët është arrestuar edhe Ilir Beqaraj, kunati i Roan Brahimit, i dyshuar për përfshirje në organizimin e atentatit ndaj Bejtjas. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të skemës kriminale dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. Plaku pritet të merret në pyetje në ditët në vijim për të hedhur dritë mbi autorët dhe motivet e vërteta të ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco