Arrest në burg ka caktuar gjykata e Korçës për 31 - vjeçarin Ilirjan Selmani i cili dyshohet se vrau me thikë 52 -vjeçaren Kozeta Teço dhe me pas i dogji banesën për të fshehur ngjarjen. Avokati i tij tha se Selmani nuk ka pranuar krimin ndërsa ka shprehur keqardhje për ngjarjen. Sipas hetimeve, Selmani ka qenë në banesën e viktimës po ditën kur u gjet e pajetë Kozeta Teço.
Syri tv
Nën masa të rrepta sigurisë, Ilirjan Selmani, autori i dyshuar i vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço në Pogradec doli para gjykatës këtë të enjte për tu njohuar me masën e sigurisë ndaj tij.
Gjykata e Korçës la në burg 31-vjeçarin Ilirjan Selmani duke i caktuar masën arrest në burg. I riu akuzohet se vrau Kozeta Teçon duke e goditur disa herë me thikë në banesën e saj dhe me pasi vuri zjarrin për të fshehur gjurmët.
Pamjet nga kamerat e sigurisë, të tregojnë se 31 - vjeçari ka qenë në banesën e viktimës në ditën e ngjarjes çfarë ngre dyshime për grupin hetimor. Por Ilirjan Selmani nuk ka pranuar autorësinë e krimit as në gjykatë. Avokati i tij Denis Mekolli tha se 31- vjeçari deklaroi në gjykatë se nuk mund të bëjë një krim kaq të rëndë, ndërsa shprehu keqardhje për ngjarjen.
Policia fillimisht njoftoi se Kozeta Teço humbi jetën nga asfiksia si pasojë e zjarrit që ra në banesën e saj, por pas ekspertizës së trupit të viktimës u konstatuan disa shenja të bëra me thikë duke treguar se 52 - vjeçarja ishte vrarë. Në dëshminë e tij të dhënë para efektivëve të policisë, Selmani ka pranuar lidhjen me viktimën, e cila ishte 20 vite më e madhe por ka mohuar ta ketë vrarë. Ai ka thënë se Kozata ishte xheloze dhe se e dhunonte vazhdimisht atë. Ngjarja e rëndë ndodhi në 28 korrik në lagjen numër 1 në qytetin e Pogradecit.
© SYRI.net