SYRI TV/ KPA shkarkon prokuroren Laze, udhëtime me kriminelë jashtë vendit dhe nuk justifikonte dot pasurinë

20:35, 29/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shkarkohet nga detyra e prokurores, Eranda Laze, motra e ish-deputetes së Partisë Socialiste Ermonela Felaj. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, shpalli të martën më 29 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës. Eranda Laze kaloi shkallën e parë të vetingut, ndonëse nuk justifikonte dot 10 milionë lekë pasuri dhe udhëtimet me kriminelë. Por pikërisht udhëtimet me persona me të shkuar kriminale dhe pasuria e pajustifikuar, ishin shkaku që sot KPA vendosi të rrëzojë Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit, duke shkarkuar nga detyra e prokurores motrën e deputetes socialiste.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, shpalli të martën më 29 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Eranda Laze, motra e ish-deputetes së PS-së, Ermonela Felaj, raportoi Birn. Sipas Kolegjit, është i drejtë pretendimi i institucionit të Komisionerëve Publikë dhe drejtuesit të SPAK se prokurorja Laze dhe bashkëshorti i saj janë në pamundësi për të vërtetuar burimet financiare të ligjshme për pagesën e këstit të parë të një apartamenti në vlerën 40 mijë euro dhe për këstin e fundit. Po ashtu, Kolegji ka gjetur të drejtë dhe shkakun e ankimit për pamundësinë e krijimit të gjendjes cash, për arsye të mosvërtetimit të ligjshmërisë së të ardhurave të bashkëshortit nga avokatia. Sipas KPA, për këto të ardhura nuk u provua shlyerja e detyrimeve tatimore.

Për një ngastër toke dhuruar bashkëshortit, trupi gjykues i KPA vlerëson se subjekti nuk shpjegoi bindshëm marrëdhënien e bashkëshortit me dhuruesit. Kolegji vlerëson se dhe për një ndërtim informal në proces legalizimi, vetëdeklaruar nga babai i bashkëshortit të subjektit, nuk u dhanë shpjegime për arsyet e investimit së bashku me një shtetase tjetër të një garazhi në një vend turistik, edhe pse ai jeton në Itali. Megjithëse këto rrethana nuk janë gjetur penalizuese, janë konsideruar në vlerësimin tërësor.

Të pamjaftueshme për masë janë gjetur dhe udhëtimet me persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale, megjithëse u konstatua se tregojnë për pakujdesi. Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit arrin në përfundimin se prokurorja Eranda Laze gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë dhe u vendos ndryshimi i vendimmarrjes së Komisionit dhe shkarkimi nga detyra i këtij subjekti rivlerësimi. Laze u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, më 8 nëntor të vitit të kaluar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco