Gjykata e Posaçme ka dhënë këtë të dielë masat në lidhje me grupin prej 6 personash të cilët janë arrestuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike.
Teksa për 5 prej tyre janë konfirmuar masat e sigurisë, një skandal i paprecedentë është shënuar në seancë. Një prej të arrestuarve është ngatërruar dhe është vënë në pranga gabimisht.
Bëhet fjalë për shtetasin Ilir Lloshi, i cili është liruar pasi u konstatua që arrestimi i tij është bërë gabimisht. Vetë Lloshi para gjykatës është shprehur se ai nuk ka lidhje më aktivitete të paligjshme dhe se nuk ka dalë kurrë jashtë kufirit të Shqipërisë. Ilir Lloshit i përkonin gjeneralitet dhe vendbanimi me personin tjetër i cili tashmë pritet të shpallet në kërkim.
Konfirmimin që nuk kemi të bëjmë me të njëjtin person e ka dhënë dhe i penduari i drejtësisë, Erion Alibej. Ndërkohë GJKKO ka lënë në masat ‘Arrest në burg’, Artur Hoxhosmani, Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndrejaj, Erjon Alibej dhe Plarent Dervishaj. Ky i fundit është larguar nga salla e gjyqit duke mos pritur vendimin pasi u paralajmërua nga gjykata që të mos fliste pa leje.
Vëllezërit Hoxhosmani mësohet të jenë shprehur në seancën me dyer të mbyllura se nuk kanë qenë përdorues të SKY EÇ duke mohuar akuzat, ashtu dhe Ndrejaj i cili kërkoi dhe masë më të butë sigurie deri në sqarimin e pozitës se tij për shkak se vuan nga një sëmundje e rëndë.
Grupi akuzohet se ka trafikuar qindra lëndë narkotike ne vitet 2020-2021 nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Europian. Grupi u zbulua pas deklarimeve të Erion Alibejt dhe krahasimit të dëshmive të tij me bisedat në aplikacionin SKY ECC.
Ndërkohë është zbardhur dhe emri i personit të shtatë i shpallur në kërkim nga SPAK, për trafikun e 411 kg kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës dhe Shqipërisë. Bëhet fjalë për shtetasin elidon Skëndaj, i njohur ndryshe dhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj. Sipas raportimeve, dyshohet se Skëndaj është larguar jashtë vendit dhe strehohet në Dubai.
© SYRI.net