Një tjetër rast i trafikimit dhe shfrytëzimit për prostitucion është goditur nga Policia e Durrësit. Një 46-vjeçar është arrestuar si autor i dyshuar i futjes së paligjshme në Shqipëri të një shtetaseje ruse 20-vjeçare, të cilën më pas e ka detyruar me dhunë dhe kërcënime të ushtrojë prostitucion për afro dy vite.
Operacioni policor i koduar “Gjuetari”, i organizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, u zhvillua pas një hetimi të thelluar me metoda speciale, ç'ka çoi në arrestimin e shtetasit K. D., 46 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës.
Nga hetimet rezulton se ai e kishte trafikuar të renë nga Rusia në tetor 2023, përmes kufirit me Malin e Zi, duke e futur ilegalisht në Shqipëri nga Podgorica, me premtimin se do e punësonte si kameriere. Në vend të kësaj, ai e ka mbajtur nën presion, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, dhe e ka detyruar të ofrojë shërbime seksuale në hotele të ndryshme në Durrës, kundrejt pagesave që varionin nga 250 deri në 300 euro për klient.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë gjahu teke e markës “KralArms”, dy palë dylbi, tre aparate celularë. Gjithashtu, është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. S., 39 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë rrjet prostitucioni.
Ndaj të arrestuarit rëndojnë disa akuza të rënda penale: “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni”; “Trafikimi i personave të rritur”; “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”; “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.
© SYRI.net