Një emigrant shqiptar 52-vjeçar është arrestuar nga policia italiane me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje, pas sekuestrimit të një sasie prej mbi 14 kilogramësh drogë në një banesë në zonën Bolognina.
Operacioni është zhvilluar mëngjesin e së premtes, më 25 korrik, nga Skuadra Mobile e Bolonjës, pas hetimeve dhe vëzhgimeve në terren që kishin për qëllim goditjen e trafikut të drogës në këtë zonë problematike të qytetit.
Sipas policisë italiane, hetimet nisën pas vëzhgimit të një individi që sillte dyshime në rrugën Via Bigari. Burri, me origjinë shqiptare dhe i lindur në vitin 1973, u pa disa herë duke hyrë dhe dalë nga një banesë, duke tërhequr vëmendjen e agjentëve.
Pas disa orësh vëzhgim, ai u ndoq nga policia teksa shkoi në një dyqan ushqimor dhe më pas mori një picë me vete. Rreth orës 12:50, ndërsa po përpiqej të kthehej në apartament, u ndalua nga efektivët e skuadrës mobile.
Burri reagoi në mënyrë të nervozuar dhe nuk arriti të jepte shpjegime të qarta për praninë e tij në Bolonjë dhe për banesën ku qëndronte.
Kontrolli i mëpasshëm në banesë çoi në një zbulim të konsiderueshëm droge:
12.13 kg hashash, të ambalazhuara në 25 pako me mbishkrimin ‘Papaya Punch’, të fshehura në ngrirësin e frigoriferit.
2.3 kg marihuanë, të ndara në 5 qese vakumi, të fshehura në pjesën e sipërme të frigoriferit.
Policia sekuestroi gjithashtu materiale për paketim, dy makina për vakum, disa rrotulla qeseje, dy telefona celularë dhe një çantë frigoriferike.
52-vjeçari u arrestua në vend dhe ndaj tij është ngritur akuza për trafik droge, e rënduar nga sasia e madhe e lëndëve narkotike. Aktualisht ndodhet në burgun ‘Rocco d’Amato’ në pritje të seancës së konfirmimit të masës së sigurisë.
Autoritetet italiane theksojnë se operacioni përbën një goditje të rëndësishme ndaj trafikut të drogës në Bolonjë, veçanërisht në zonën e Bolognina-s, e cila prej kohësh është nën vëzhgim për raste të shumta të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe shqetësimeve për sigurinë publike.
© SYRI.net